Finalja e Champions League të vitit 2005 në Stamboll mbetet një nga ndeshjet më të çmendura të historisë së futbollit. Milani zhvilloi një pjesë të parë perfekte dhe shkoj në pushim me avantazhin e trefishtë. Fituesi nuk diskutohej më, por futbolli krijon gjithmonë befasi. Anglezët barazuan ndeshjen brenda 7 minutave.
Milani rinisi të luante mirë, por nuk ia doli të shënontë më dhe humbi trofeun pas goditjeve të penalltive. Një peng i madh për popullin milanist, edhe pse dy vite më vonë erdhi hakmarrja e embël në Athinë. Drejtuesi i kuqezinjve dhe ish-kapiteni i qindra betejave, Paolo Maldini rrëfen për Corriere dello Sport se çfarë ndodhi në pushimin e pjesës së parë.
“Në pushimin mes pjesëve të finales Milan-Liverpool nuk ka ndodhur asgjë nga ajo që kanë shkruar mediat. Nuk është e vërtetë që nisëm të festonim. Përkundrazi, nisëm të ziheshim. Filluam të thonim gjëra idiote edhe për një pasim të gabuar dhe Ancelotti ulëriti: ‘Heshtni të gjithë 5 minuta’.
U qetësuam dhe më pas nisëm të diskutonim me qetësi. Finlja e Champions League krijon shumë tension dhe futbolli është sporti më i paparashikueshëm”, deklaron ish-kapiteni legjendar i Milanit. /abcnews.al