Golden Stejti dhe Lebron Xhejmsi rrezikojnë dështimin në këtë sezon të basketbollit amerikan. Skuadra kampione dhe ylli kryesor mund të mos i arrijnë objektivat.
Hierarkia në NBA duket se po ndryshon.
Një skuadër finaliste e vjetshme dhe një yll i madh po ashtu finalist, po marrin humbje pas humbjesh, në mënyrë krejt të panatyrshme.
Golden Stejti, kampion në fuqi I ligës më të fortë të basketbollit në botë, pësoi një tjetër disfatë, madje në fushën e vet, edhe pse kundërshtari ishte pa lojtarin kryesor.
Hjustoni u imponua me shifrat 118-112, pavarësisht nga mungesa e Xhejms Hardenit, që u kursye për shkak të një dëmtimi të lehtë.
Jo gjithnjë talenti përkthehet fitore, edhe pse Golden Stejti e ka me shumicë.
Në parket ishin Stefën Kërri, Kevin Duranti, Klej Tompsoni, Demarkus Kouzinsi, madje edhe Drejmond Grini që u dëmtua në pjesën e katërt.
Kris Pol udhëhoqi ekipin nga Teksasi, ndërsa Golden Stejti rrezikon shumë që të mos e mbrojë dot titullin, për shkak të uljes së ritmit dhe vetëkënaqësisë nga sukseset e shumta.
Kjo, edhe pse kryeson Konferencën Perëndimore në NBA.
Edhe më keq mund ta pësojë Lebron Xhejmsi.
Nënkampioni në fuqi i NBA-së, që u largua nga Klivlendi në kërkim të titullit, është gjithnjë e më larg plej ofit me Lejkërsat.
Skuadra nga Kalifornia u mposht në fushën e Nju Orlinsit, edhe pse ylli kryesor I vendasve, Entoni Dejvis nuk luajti në këtë ndeshje.
Rezultati ishte 128-115, dhe Lejkërsave nuk u mjaftuan 27 pikët e Lebronit, as 7 topat e tij në tabela dhe 12 asistet, po ashtu 4 vjedhjet e topit.
Nuk mjaftuan as 29 pikët e të riut Brandon Ingram, ndërsa Xhejms u vërshëllye nga tifozët vendas, pasi deshi që t’u merrte yllin kryesor, Entoni Dejvisin.
Los Anxhelos Lejkërs është në vendin e 10-të në Perëndim, tri humbje larg vendit të 8-të që të kualifikon për në plej of./abcnews.al