Finale e jashtëzakonshme basketbolli, Peja shpallet kampione e Kosovës

schedule10:51 - 19 Maj, 2023

schedule 10:51 - 19 Maj, 2023

Peja është kampione e Kosovës. Në një super finale shumë interesante dhe dramatike, verdhezinjtë kanë mundur Trepçën 91:93 (17:21, 17:15, 24:22, 19:19, 14:16), në njërën nga finalet më interesante pasluftës në basketbollin e Kosovës.

Vendasit, të përkrahur nga palestra e stërmbushur me tifozë, e nisën ndeshjen më mirë me një seri prej 8:2, por mysafirët u kundërpërgjigjën shpejt për 11:12, ndërsa deri në fund të çerekut të parë u zhvillua lojë e barabartë, por përfundoi me epërsinë e pejanëve 17:21.

Lojë pothuajse e barabartë u zhvillua në periudhën e dytë, ku asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej, ku pjesa e parë përfundoi 34:36. Pejanët e filluan pjesën e dytë, përkatësisht periudhën e tretë më mirë, me epërsi prej tetë pikësh, 41:48, por mitrovicasit nuk u dorëzuan dhe deri në fund të kësaj pjese barazuan rezultatin në 58:58.

Në çerekun e fundit u zhvillua lojë e jashtëzakonshme. Herë kalonte njëra skuadër në epërsi e herë tjetra, ndërsa Joseph i Pejës shënoi shtatë pikë në fund, duke kaluar në epërsi 75:77, por në sekondat e fundit, Amin Hot shënoi dhe ndeshja shkoi në shtesa 77:77.

Edhe në shtesa u zhvillua lojë tepër interesante dhe dramatike, ndërsa përfundoi 91:93, me dy pikë në fund nga Brad Waldow.

Jalen Tate është zgjedhur MVP i finaleve, ndërsa medaljet e arta dhe të argjendta i kanë ndarë Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe nënkryetarja e FBK-së, Linda Shala./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!