Fillon sot Seria A, Juventusi luan në fushën e Parmës dhe Napoli në Firence

schedule16:00 - 24 Gusht, 2019

schedule 16:00 - 24 Gusht, 2019

Nis sot një nga kampionatet më të fortë në botë, Seria A e Italisë. Në orën 18:00, luhet ndeshja e parë mes Parmës e Juventusit, ndërsa kampionët janë favoritë sërish për titullin.

Nga i mbiquajtur “vendi i bukur”, në futbollin e bukur!

Fjala pritje në Itali do të marrë fund sot në orën 18:00, pasi do të nisë përsëri një nga ligat më të shquara të topkëmbës europiane dhe botërore, Seria A.

Edhe pse jo në kulmet e veta, si në vitet 80-të, 90-të apo fillim vitet 2000, edhe pse shpesh e kritikuar për futbollin pragmatik, të njohur me emrin “katenaço”, publiku botëror nuk mund të bëjë dot pa Italinë.

Në orën 18:00 zbret në fushë skuadra kampione, Juventusi, që do të provojë veten në stadiumin “Enio Tardini” të Parmës, duke mos e pasur në stol trajnerin Mauricio Sarri, që mbetet i sëmurë.

Gjithsesi, Kristiano Ronaldo pritet në formacion, bashkë me Dibalën, ndërsa De Ligt mendohet se do ta nisë nga stoli, duke qenë në fushë dyshja titullare e mbrojtjes Kielini-Bonuçi.

Në 20:45, do të jetë radha e Napolit të provojë veten, edhe ky jashtë fushe, në Firence.

Një sfidë tepër e vështirë ndaj Fiorentinës, për të cilën blerja e re Riberi do ta nisë nga stoli, ashtu siç do të jetë në stol për Ançelotin edhe një nga kapitenët e kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj.

Juventusi cilësohet si favorit për të mbrojtur titullin e fituar 8 herë radhazi, ndërsa Napoli e Interi mendohen si rivalët kryesorë.

Ndeshjet e tjera të javës së parë luhen nesër. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!