Fillon procesi i riemërimit të tabelave në Maqedoninë e Veriut

schedule18:49 - 13 Shkurt, 2019

schedule 18:49 - 13 Shkurt, 2019

Në Maqedoninë e Veriut ka nisur procesi për riemërimin e tabelave në institucione dhe pika kufitare. Kryeministri Zaev u shpreh se institucionet shtetërore po përgatiten për implementimin e marrëveshjes me Greqinë. 

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres me një letër të përbashkët nga Shkupi dhe Athina tanimë është informuar se kontesti për emrin  midis dy vendeve është zgjidhur dhe prej mbrëmë edhe zyrtarisht emri i i ri është Republika e Maqedonisë së Veriut. Në vazhdim e sipër është edhe procedura për informimin e vendeve anëtare të  organizatës botërore dhe të organizatave ndërkombëtare për emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Zoran Zaev tha mbrëmë se institucionet shtetërore janë duke u përgatitur për implementimin e Marrëveshjes me Greqinë, e madje edhe në partinë e tij LSDM do të debatohet për ndërrimin eventual të emrit të partisë.

Prej mbrëmë zyrtarisht vendi quhet Republika e Maqedonisë së Veriut. Nga 12 Shkurti ka hyrë në fuqi marrëveshja përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve me Greqinë të përshkruara në Rezolutën 817 dhe 845 të vitit 1993 këshillit të Këshillit të Sigurimit të OKB, për ndërprerjen e vlefshmërisë së Marrëveshjes së Përkohshme të vitit 1995 dhe për vendosjen e një partneriteti strategjik:

Mile Boshnjakovski, zëdhënës i qeverisë: “Kjo është publikuar në gazetën zyrtare, e kjo do të thotë se ndryshimet e amendamenteve  kushtetuese tanimë janë në fuqi dhe siç thashë, prej mbrëmë ne jemi, shteti ynë është Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Përveç mbishkrimeve të reja  me emrin e ri  të shtetit në vendkalimet kufitare, janë duke u përgatitur edhe institucionet tjera shtetërore për ndryshimin e emrit të vendit dhe  sipas lajmërimeve  Ministria e Brendshme është e gatshme me vula për pasaporta, gjatë udhëtimit për në Greqi për të dëshmuar se janë nga Republika e Maqedonisë së Veriut deri në zëvendësimin me dokumente të reja udhëtimi, për çka afati është pesëvjeçar.

Megjithatë, udhëtimi për në Greqi nuk do të jetë pa etiketa ngjitëse në vetura, por në vend të IRJM-së, ashtu siç deri më tani vendosnin kufitarët grekë, tani kolegët maqedonas në tabelat e regjistrimit do të vënë etiketa me Republika e Maqedonisë së Veriut. Partia në pushtet, sipas kryeministrit Zoran Zaev, është duke menduar madje edhe për ndryshimin e emrit partiak që nuk erdhi në radhë për diskutim gjatë mbledhjes së mbrëmshme të kreut partiak.

Zoran Zaev: “Ka zgjidhje të mira kreative. Askund nuk ka socialdemokraci nga Norvegjia, Sllovenia, Suedia e të ngjashme, ka disa lloje zgjidhjesh, mundet të jemi Lidhje Socialdemokrate, prej nga RMV, mundet të jemi LSD e MV, LSDMV, mundet të mbetemi si jemi nëse duam mos të kemi aktivitete ndërkombëtare të finansuara me paratë e shtetit”.

Ndërkohë në vendkalimin kufitar “Bogorodica” mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë është ngjitur emri i ri i vendit. Këto aktivitete të ndryshimit të tabelave erdhën pasi mbrëmë arriti nota verbale nga Ministria e Jashtme greke, me ç’ka ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Prespës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!