Procesi gjyqësor ndaj aktivistes së klimës Greta Thunberg fillon sot, për një vepër kundër rendit publik pas protestave të organizuara në qendër të Londrës vitin e kaluar.
21-vjeçarja nga Suedia u arrestua gjatë protestës pranë hotelit InterContinental në Londër më 17 tetor, ku drejtuesit e kompanive të naftës po mblidheshin për eventin e Forumit të Inteligjencës Energjetike.
Thunberg dhe dy protestues të tjerë nga organizata Fossil Free London (FFL) dhe Greenpeace, deklaruan në Gjykatë në nëntor se nuk kishin shkelur Aktin e Rendit Publik 1986 duke bllokuar hyrjen në hotel.
Aktivistja britanike e Greenpeace, Maja Darlington, tha se “persekutimi i Gretës dhe protestuesve të tjerë paqësorë, tregon se qeveria kujdeset më shumë për rritjen e fitimeve të bosëve të naftës sesa për të luftuar për të ardhmen e jetës për të gjithë ne”.
Organizata Fossil Free London qëndron gjithashtu me Thunberg dhe protestuesit: “Mbretëria e Bashkuar po kriminalizon aktivistët paqësorë të klimës si Greta ndërsa hap tapetin e kuq për kriminelët e klimës në hotelet e Londrës,” tha zëdhënësja e FFL, Joanna Warrington. /abcnews.al