Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, këtë të mërkurë në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se është ulur numri i të infektuarve me Covid në Maqedoni.
Filipce në deklaratën e tij për mediat ka theksuar se ulja e shifrave vjen si rezultat i masave anti-Covid.
Në lidhje me vaksinimin, ai tha se ky proces shkon mirë dhe se deri tani janë vaksinuar afër 30 mijë qytetarë.
“Këtu në sallën “Boris Trajkovski” sot përfundon vaksinimi i grupeve kritike dhe prej nesër vazhdon vaksinimi i personave të tjerë. Deri më tani janë paraqitur afro 140 mijë persona për vaksinim në faqen e internetit vakcinacija.mk”, tha Filipçe.
Ai gjithashtu tha se në muajin prill pritet të arrijnë 10 mijë doza vaksina “Pfizer”.
“Nga kompania Pfizer përmes marrëveshjes sonë të drejtpërdrejtë me datë 19 dhe 26 prill do të vijnë nga 10 mijë doza. Kisha takim me ambasadorin e Kinës, kemi informacione që pjesa administrative atje është përshpejtuar. Presim informacione nga Ambasada e Rusisë për doza shtesë të vaksinës Sputnik. Deri në fund të muajit duhet të arrijnë edhe 76 mijë doza të vaksinës AstraZeneca”, është shprehur ministri./abcnews.al