Mbrojtësi i Milanit, Fikayo Tomori, është përshtatur menjëherë me kuqezinjtë. Anglezi debutoi në derbin kundër Interi, ku zëvendësoi Simon Kjaer. 23-vjeçari zhvilloi një paraqitje shumë pozitive, duke fituar zemrën e tifozëve milanist. Ai tregon përshtypjet e para në Milano si dhe nuk ka frikë të besojë tek titulli kampion.
“Kur u transferova këtu Milanin e gjeta në vendin e parë. Ne duhet të besojmë te titulli kampion. Nuk kemi pse të kemi frikë dhe të gjithë duhet të besojmë tek Scudetto.
Derbi? Edhe në Premier League ndeshjet luhen me shumë agresion. Derbit janë gjithmonë shumë intensive. Jam shumë i lumtur që jam këtu, jemi në një moment pozitiv dhe unë dua të kontribuoj. Do të jap gjithçka në fushë”, deklaron anglezi.
“Ka shumë ndryshime në nivelin tekniko-taktik me futbollin anglez. Atje loja është më fizike, por këtu ka më shumë rëndësi taktika. Unë jam gati të përshtatem dhe dua të dëgjoj të gjitha këshillat që do të më japin Maldini, trajneri dhe shokët e mi të skuadrës.
Kur zhvillova seancën e parë ishte një ndjenjë e shkëlqyeshme të stërvitesha me lojtarë si Ibrahimovic dhe Mandzukic. E pranoj që kam probleme me gjuhën, por të gjithë po përpiqen të më ndihmojnë. Gjithmonë kam dashur një përvojë të re dhe të jesh në Milano është një hap shumë i madh për mua për t’u rritur si person dhe lojtar.
Lampard? Ai ka qenë profesori im dhe kam kaluar shumë mirë me të që kur kam qenë fëmije. Tani unë luaj për Milanin dhe jam i përqendruar vetëm këtu”, përfundon Tomori. /abcnews.al