Fier, Federata e Futbollit do financojë për stadiumin e qytetit

schedule23:45 - 27 Maj, 2019

schedule 23:45 - 27 Maj, 2019

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka nisur bisedimet për një bashkëfinancim me Bashkinë e Fierit për stadiumin “Loni Papuciu”.  Institucioni me i madh futbollistik në vend ka marrë përsipër 35 % të financimit të impiantit.

Zëri i investimeve në infrastrukturën e futbollit nga ana e FSHF-së nuk është frenuar vetëm, te “Arena Kombëtare” apo edhe shtëpia e futbollit. Së fundmi, president Duka nis bisedimet për një bashkëfinancim me Bashkinë e Fierit për stadiumin “Loni Papuciu” në Fier.

Në Fier është planifikuar të ndërtohet stadiumi i radhës i futbollit, që do të përmbushë parametrat e kërkuar nga UEFA dhe FIFA për ndeshje ndërkombëtare.

Sot kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, zhvilloi një takim me kreun e futbollit shqiptar, Armand Duka, por edhe me presidentin e Apolonisë, Koço Kokëdhima. Bashkëfinancuesit e projektit të ardhshëm kanë zbritur edhe në terren, kanë vëzhguar nga afër stadiumin e bardhë-jeshilëve të Apolonisë, dhe shumë shpejt pritet që mes FSHF-së, dhe Bashkisë të siglohet marrëveshja për impiantin e ri.

Kryebashkiaku Subashi bëri me dije se FSHF-ja ka marrë përsipër 35% të financimit të stadiumit të Fierit: “Me presidentin e FSHF-së biseduam dhe u dakortësuam për fillimin e punës nga projektimi, pastaj financimi e ndërtimi i stadiumit të ri të futbollit.

“Falënderim për presidentin Duka, që në emër të federatës mori përsipër 35% të financimit”, theksoi ai, teksa tashmë pritet që një fond i tillë të kalojë edhe në Komitet.

Pas Kukësit që është zyrtarizuar gjithçka, tashmë një tjetër impiant do të jetë në fokusin e rikonstruksionit të plotë me një projekt konkret./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!