Dy persona të shpallur në kërkim kanë përfunduar në prangat e policisë së Fierit. Mësohet se ata akuzohen për vepra të ndryshme penale.
32-vjeçari në vitin 2021, dyshohet se duke u prezantuar si administrator i një kompanie ndërtimi, ka falsifikuar dokumentet për legalizimin e disa apartamenteve, në këmbim të shumave të ndryshme monetare.
Ndërsa, 22-vjeçari në aksin rrugor “Fier-Seman”, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasin 50 vjeç, që lëvizte me motomjet, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit.
Njoftimi i Policisë:
Vijon puna për kapjen e shtetasve në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim për vepra penale të ndryshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Fier, kapën dhe ndaluan shtetasin , 32 vjeç, banues në fshatin Fermë Çlirim. Për këtë shtetas, Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi në vitin 2021, dyshohet se duke u prezantuar si administrator i një kompanie ndërtimi, ka falsifikuar dokumentet për legalizimin e disa apartamenteve, në këmbim të shumave të ndryshme monetare.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Fier ndaluan shtetasin 22 vjeç, banues në fshatin Dërmenas, Fier, i cili ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohet se më datë 10.12.2024, në aksin rrugor “Fier-Seman”, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasin 50 vjeç, që lëvizte me motomjet, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al