Fidel Ylli është i ngarkuari i kryeministrit Edi Rama për të gjetur një zgjidhje për bojkotin e 10 klubeve të Superiores. Katër janë kërkesat e botës së futbollit, teksa deputeti socialist, në një prononcim në “Studio Sprint” në ABC News, sqaron gjithçka.
“Këto dy ditë, pothuajse çdo mëngjes, jam takuar nga 1.5 orë me kryeministrin, kemi biseduar për t’i dhënë zgjidhje problemeve të futbollit. Por ata, duhet të ishin në takim, unë duhet të bëja rolin e arbitrit, tani unë jam i detyruar të bëjë opozitën brenda qeverisë.
Liga ka dërguar një shkresë, që i dërgohet kryeministrit dhe kryetarit të parlamentit. Në momentin që doli në media fakti që do takoheshim me ta, më mori presidenti Libohova, miku im. Më tha që: Jam shumë i gëzuar që qeveria të ka vendosur ty negociator. Mirë është të takohemi.
E lamë të hënën në orën 12:00. I thashë që vi ku do ti, por jemi rahat që të takoheshim në Ministrinë e Financave. Ramë dakord dhe papritmas na ndërron kursi. Presidenti ishte i sëmurë në spital, pastaj foli sekretari i Ligës, i cili theksoi se kemi kërkuar të mos shkojmë në atë takim.
Po të lexoj rreshtin e fundit të shkresës që kanë dërguar vetë. “Liga Profesioniste e Futbollit,, është e gatshme për të diskutuar me strukturat përkatëse të qeverisë, për gjetjen e një kompromisi për zgjidhjen e këtyre kërkesave“.
Vetëm kryeministri është strukturë e qeverisë? Ka të tjerë plot, vetë e bënë kërkesën dhe vetë e anuluan. Së çfarë ndodhi, unë nuk e di. Pse ndihemi të shantazhuar? Jemi në një moment që sporti të fillojë kampionatin. Nuk duhet të merremi me shantazhe. Ky shantazh ndodhi papritmas, u caktova për të negociuar, duhet të isha si arbitër midis Ligës dhe Ministrisë së Financave, që është administratorja e parave tona dhe bën një bllokadë të fortë sa i përket tatimeve.
Jam i bindur që të katërt pikat do të ishin diskutuar, nëse vinin Liga në takim. Ministrja tani pyet: çfarë kërkojnë këta me 6% e TVSH-së? Të ndërhysh te TVSH-ja vetëm për tarifat 5 mijë lekshe të fëmijëve, më duket diçka si pa sens. Mendoj se duhet të jemi shumë të qartë, duhet të dimë që e para gjë që Liga dhe i gjithë sporti, duhet të ketë në dorë fletoren zyrtare ku kemi kaluar ligjin e sportit me datë 30 korrik të këtij viti.
Për fat, Ilir Meta u tregua i shpejtë këtë radhë, e kaloi dhe e firmosi. Çfarë kam nënvizuar me të verdhë, janë 15 amendimet që i ka kërkuar FSHF, pas një takimi që pata me presidentin Duka. I thashë: do të ndërhyjmë te ligji i sportit, prej faktit që Shqipëria është afër hapjes së negociatava, pasi një nga kapitujt është ai i sportit.
Por edhe për arsyen se në takimin që u bë më kryeministrin në marsin e kaluar. Ai takim u bë për dhunën, por kryeministri tha që do të bëjmë një reformë pasi sporti është në gjendje informale. Ndërruam kodin penal për çështjet e dhunës, bëmë ligjin për sponsorizimet, bëmë tatimin mbi pagën të sportistëve.
Kanë 30 vjet që sportistët dhe klubet tanë nuk paguajnë asnjë lloj takse, kanë qenë të paformalizuar për 30 vite. Nuk kanë sesi sportistët që marrin 3 mijë euro-10 mijë euro në muaj, të mos paguajnë një taksë për pagën, ndërkohë që ia kërkojmë një mësuesi, polici, gjithkujt. Bota nuk të fal për këto taksa, Messin dhe Ronaldon desh i futën në burg. Na ra fati të formalizojmë sportin, që ta bëjmë një biznes fitimprurës.
Ministrja tha që mund të realizohen edhe të katër kërkesat, gjithmonë nëse ata vijnë në takim. E duan edhe 40 vjet të tjera që ta lëmë sportin pa taksa dhe tatime? Sportisti paguan taksë, por ka edhe pension, ka edhe shpenzime shoqërore. I bie të marrin 50 mijë lek të vjetra pension, pasi deklarohen se paguhen me një rrogë prej 300 mijë lekësh.
Ligji i sponsorizimit? Në vitin 1993, Seneserzick, ish-zv-presidenti i Federatës Turke të Futbollit, erdhi në Shqipëri. I tha FSHF-së tonë këto që po diskutojmë ne pas 30 vitesh. Në ‘1988 e privatizoi futbollin Turqia, ja u hoqi bashkive dhe e morën presidentët. Më pas arritën suksese. Duhej bërë atëherë edhe te ne, ti mendon se unë e kam problem se nuk do kthehen klubet në fushë?
Nuk mund të injorojnë tavolinën e rrumbullakët me Ministren e Financave, ajo i ka paratë, as me Fidel Yllin, bërësin e të gjithë ligjeve të sportit? Kush janë këta që injorojnë shtetin dhe i bëjnë karshillëk? Çfarë janë këta, UFO janë? Pse nuk vijnë sipas letrës dhe kërkesës, pse ndryshoi skema?
Nuk është Armand Duka i pari në këtë rast, ai ka heshtur. Iniciatori i kësaj skeme është Koço Kokëdhima, miku im. Të vijë në tavolinë, ai dhe gjithë të tjerët, mund të kenë të drejtë dhe të gjitha pikat mund të realizohen. Të vijnë në debat. Shteti ka institucione, strukturat nuk janë kot, pasi do të kishim vetëm një njeri dhe mbyllej puna.
Shoqata ka me mijëra, s’do zgjidhë gjithçka kryeministri Rama. Mendon se kryeministri do të më shesë mua pse këta kërcënojnë me grevë? Asnjë shans nuk ka. Ai më autorizoi t’i zgjidhim problemet që kanë, këta nuk vijnë dhe i injorojnë të gjithë. Kryeministri ka bërë gjithë ato investime moderne në sport.
A do i presim gjatë në takim? Fare, ne po vazhdojmë, tavolina vazhdon, opozitën po e bëj unë më ministren. Unë duhet isha në mes futbollit dhe ministrisë, do të isha në krahun e FSHF-së, pasi mua më djeg sporti. Më ka lodhur kjo punë, dua që sporti të ketë më shumë të ardhura, të jetë më cilësor.
Po bëjmë klasat sportive, jo klasa me mësues me tre orë, por me profile të caktuara, palestrat do të ziejnë. Do bëhet shumë shpejt kampionati i futbollit për universitetet. Kemi marrë takim me gjithë dekanët, të kemi masivizim, që të gjallërohet jeta. Jam shumë i mërzitur nga kjo situatë. Unë flas me shumë sinqeritet, flas drejtë, i kam miq që të dy, i kam marrë mendimin Dukës, na kërkoi edhe një 10% për të drejtën televizive të ndeshjeve të kombëtares.
E bëra që 100% t’i marrë FSHF. Të gjitha gjërat që vijnë në sportin shqiptar, të gjitha meterialet vijnë pa doganë. Sportistëve i ulim tatimin, ligjin e bëmë. Bëmë edhe diçka tjetër, presidentët thonin që nuk kishin aq para për polici private. Kishin të drejtë, studiova dhe pashë që një ndeshje futbolli është përgjegjësi e të gjithë institucioneve shtetërore, jo vetëm e klubeve dhe FSHF-së.
Thirrjen po ja u bëj unë: hajdeni në tavolinë, sepse do debatojmë, tavolinat janë të mira, zgjidhjet nuk bëhen me studio dhe presione. Vetëm tavolina do ta zgjidhë, nuk ndodh me dorën e Zeusit, duhet të kenë mirënjohje për atë që ka bërë qeveria për sportin. FSHF mori qindra hektarë tokë për Federatën e re.
Versioni më i keq nëse nuk vijnë? Këta le të vazhdojnë të flasin me ironi, jeta vazhdon. Sa për dijeni, je i pari që po ta them. Jo tani, por në muaj korrik kanë qenë një sërë ligjesh në lidhje me financat. Janë 6% TVSH për ata që investojnë, nga 20% që është. Kam thënë që ky 6% të jetë edhe për privatët, jo vetëm me shoqatat.
Të bëhen shumë fusha, do ketë biznesmenë që do ndërtojnë lagje, do investojnë, taksa e infrastrukturës është pa lekë. Këto janë ata që kemi propozuar. Janë edhe tre pika të tjera për ligjin e sponsorizimit, vijnë apo nuk vijnë në takim. Tavolina është e hapur, po diskutojmë, parlamenti ka një axhendë, prandaj si presim dot“, përfundon Fidel Ylli. /abcnews.al