“Festuan” ditëlindjen e Navalny, policia arreston dy persona

schedule11:15 - 5 Qershor, 2024

schedule 11:15 - 5 Qershor, 2024

Policia e Moskës ka ndaluar dy gra të cilat shkuan për të bërë nderime në varrin e kritikut të ndjerë të Kremlinit, Aleksei Navalny, në varrezat e Borisovit, raportoi grupi OVD-Info, duke cituar një dëshmitar.

Mbështetës dhe familjarë të politikanit opozitar shënuan ditën kur Navalny do të duhej të mbushte 48 vjet, më 4 qershor.

Organizime u mbajtën jashtë Rusisë, derisa brenda territorit rus shumë njerëz kanë shkuar te varri i tij për ta kujtuar, pavarësisht paralajmërimeve për tubimet e paautorizuara.

Policia fillimisht ndaloi një grua të re në varreza për gjoja shfaqjen e simboleve ekstremiste, tha dëshmitari, dhe më pas një grua tjetër u ndalua pasi i bëri thirrje policisë që të mos e pengonte gruan e re.

Në Novosibirsk, policia arrestoi dy gra që kishin shkuar për të vendosur lule në monumentin e viktimave të represionit politik – një vend i përdorur nga aktivistët për të nderuar kujtimin e Navalnyt.Vdekja e Navalnyt është bërë e ditur më 16 shkurt në burgun Ujku Polar në Arktik të Rusisë, ku ka qenë duke vuajtur një dënim me burgim, lidhur me akuzat për ekstremizëm, të cilat, ai dhe mbështetësit e tij, i kanë konsideruar si të motivuara politikisht.

Navalny është përballur me kushte të rënda në burg, mirëpo zyrtarët rusë kanë thënë se ai ka vdekur prej “kushteve natyrale” dhe kanë refuzuar të dorëzojnë trupin e tij te familjarët për gati një vit.

Navalny ishte arrestuar në janar të vitit 2021, menjëherë pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku është trajtuar pas një helmimi, gati fatal, me agjent nervor Noviçok.

Ai ka thënë vazhdimisht se helmimin e kanë kryer zyrtarë rusë, me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin.

Gruaja e Navalnyt konsideron që burri i saj është vrarë, derisa presidenti amerikan, Joe Biden dhe disa zyrtarë tjerë perëndimorë kanë thënë se e mbajnë Moskën përgjegjëse për vdekjen e tij./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!