U njohën me traditën e hershme të kulinarisë, shijuan ushqimet e zonës me përbërësit e vendit dhe të rajonit.
Një event shumë i rëndësishëm që promovon resurset e mëdha që ka Shkodra për zhvillimin e turizmit. Shkodra International Food Event e nis këtu rrugëtimin e saj për ta kthyer këtë qytet në qendër të turizmit në përgjithësi e në veçanti atij kulinar.
Shiroka dhe Zogaj kanë qenë ndalesa e parë e miqëve nga vendi fqinj, të cilët vizituan bukuritë e natyrës, por ajo që është më kryesorja është edhe shijimin e gatimeve të veçanta të zonës. Carlo Zarri, shefi i njohur me famë botërore thotë se është hera e parë qe provon kuzhinën shqiptare.
“Kuzhina Shqiptare nuk është e njohur, por mendoj se këta djem edhe me ndihmën e institucioneve siç është Bashkia apo edhe institucione tjera mund të bëjnë shumë. Kam takuar shumë nga ata të cilët kanë qenë në Itali dhe kanë punuar në restorante, por ata mund të rikthehen sërish në Itali dhe atje ta bëjën të njohur kuzhinën Shqiptare. Nga ushqimet që kam shijuar dhe që më kanë lënë mbresa të jashtëzkonshme ka qenë gatimi i ngjalës që ishte nga Liqeni i Shkodrës, në Shirokë, si dhe në Theth, ku kam shijuar një troftë me garniturë që ishte e mrekullueshme”, tha ai.
Për Kryetarin e Bashkisë Shkodër Bardh Spahia, synimi i këtij eventi është që të zgjerohet dhe me promovimin e produkteve të zonës.
“Nuk ka asgjë më të rëndësishmë për Shkodrën sesa të promovojmë siç duhet resureset e jashtëzakonshme që ka territori ynë. Synojmë ta kthejmë në eveniment të përvitshëm”, tha Spahia.
Kritiku dhe shkrimtari i gastronomisë Edoardo Raspelli thotë se shija e gatimeve shkodrane e ka suprizuar.
“Ka qenë një surpirizë e këndëshme për mua kur kam vizituar një baxho që prodhonte mozzarella, që është tipike italiane. Një baxho që arrinte të grumbullonte rreth 15 deri në 20 mijë litra qumësht të lopës. Mozzarella kishte një shije fantastike me aromë të tartufit lokal. Ndërsa ngjala e liqenit të Shkodrës ishte e gatuar në mënyrën përfekte me orizin që e keni marrë nga Italia”, tha kritiku.
Në qëndër të qytetit të Shkodrës janë vendosur tendat me gatimet e kuzhinerëve më të mirë të Shkodrës, si dhe me prodhimet e zonës. Ku veçohen disa produkte tradicionale si ëmbësira e njohur e rajonit të Shkodrës që vendasit e quajnë Tespixhe.
Zona e Shkodrës është mjaft e pasur me bimësi të ndryshme dhe mjalti i kësaj zone është shumë i njohur. Vladimir Gjerga një nga bletrritësit e njohur ka sqaruar për gjithë këtë proces.
Tendat e vendosura në qendër të Shkodrës ofruan produket më të mira të zonës, nuk munguan as edhe prodhimet e stinës nga fermerët vendas. Ndërsa në anën tjetër ishte muzika që e shoqëronte gjithë këtë aktivitet, koncertet të cilat gjatë gjithë këtij muaji nuk kanë munguar në Shkodër. Për moderatoren televizive në mediat italiane dhe gazetaren Greta Galbianco, qëndrimi i saj në Shkodër ishte një kënaqësi e veçantë.
“Peizazhi që të ofron ky vend është i mrekullueshem, më ngjan me Sardenjën. Gjuha italiane që të gjithë e flasin si një gjuhë e dytë këtu në Shkodër. Ngjashmërinë që ka me Italinë ky vend e vërejta edhe në koncertet e organizuara, ku muzika shqiptare është shumë e ngjashme me atë italiane. Ndërsa nga ushqimet ajo që më ka lënë përshtypje është buka, shija e saj, mënyra e të gatuarit është vërtetë diçka e veçantë për mua”, tha gazetarja.
Është një mundësi që ky rajon të ofron mundësi pa fund, pasi këtu ka gjithçka, malin, detin, liqenin dhe fushen dhe këto duhen shfrytëzuar…..
“Po organizohemi me Kryebashkiakun Spahia jo vetëm për vazhdimësinë e SHIFE, por edhe duke organizuar bursa për turizmin, ngjarje që do të sjellin këtu emra të mëdhenj, operator europian dhe ndërkombëtar, të cilët do ta promovojnë Shkodrën e Shqipërinë dhe do ta bëjnë pikë kyce për turizmin”, tha Raspelli.
“Unë shkruaj për restorantet prej shumë vitesh në portale e gazeta. Kam qenë në 2 restorante shqiptarësh që gatuajnë gjëra deti në Itali dhe kanë një histori të mrekullueshme në atë dramën e përfunduar mirë, që bashkon shumë shqiptarë, të cilët kanë ardhur në vitet 90 me anije, fare të rinj 16 -17 vjeç, e sot janë kuzhinier e që kanë hapur restorantet e tyre. Janë lidhur me vendin që jetojnë, por pa harruar rrënjët”, vijon më tej Raspelli.
Kryebashkiaku Bardh Spahia tha se shumë shpejt Shkodra do të ketë hapësirën e saj në arenën ndërkombëtare sa i përket promovimit turistik dhe ofrimit të risive për vizitorët….
Liqeni i Shkodrës, Parku Kombëtar i Thethit dhe Kalaja e Rozafës janë disa nga zonat më atraktive turistike të cilat duhen vizituar në Shkodër. /abcnews.al