Festë kuqezi në Stamboll, Izmir Smajlaj shpallet kampion Ballkani

schedule17:43 - 20 Shkurt, 2021

schedule 17:43 - 20 Shkurt, 2021

Izmir Smajlaj shpallet kampion i Ballkanit për salla të mbyllura. Atleti shqiptar fitoi në garën e kërcimit së gjati në turneun e zhvilluar në Stamboll të Turqisë. 27-vjeçari nga Shkodra shkëlqeu sot në Stamboll të Turqisë, duke dalë kampion i Ballkanit.

Atleti shqiptar fitoi medaljen e artë në garën e tij të kërcimit së gjati, duke lënë pas rivalët me rezultatin 7 metra e 91 centimetra. Ishte ky një konfirmim i Smajlajt, pasi edhe vitin e kaluar doli kampion i Ballkanit, madje me të njëjtin rezultat.

Kërcimin fitues, shkodrani e realizoi në provën e dytë, ndonëse edhe herën e parë pati rezultat 7.88 metra. Smajlaj është tri herë kampion i Ballkanit për salla të mbyllura, në vitet 2018, 2020 e 2021, ndërsa në vitin 2019 fitoi medaljen e argjendtë.

Shqiptari ka si rezultat maksimal fitoren e medaljes së artë në Kampionatin Europian për salla të mbyllura në Beograd në 2017 me rezultatin shumë të mirë 8.08 metra, që është edhe rekordi i Shqipërisë në këtë kategori.

Rekordi absolut është 8.11 metra, i vendosur në Shkodër dy vite më parë. Synimi i atletit më të mirë shqiptar tek meshkujt është përfaqësimi sa më i mirë në Kampionatin Europian për salla të mbyllura, që mbahet në Arenën e qytetit Torun në Poloni, nga 5 deri në 7 mars. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!