Festë kuqezi në Maqedoninë e Veriut, kualifikohen katër ekipet shqiptare

schedule17:38 - 21 Tetor, 2020

schedule 17:38 - 21 Tetor, 2020

Kanë përfunduar ndeshjet e fazës së 1/8 në Kupën e Maqedonisë së Veriut. Shkëndija u kualifikua pas një fitore minimale 1-0 në shtëpi ndaj Gostivarit, ekipit shqiptar që garon në divizionin e dytë.

Kapiteni Ennur Totre ktheu në gol një penallti në minutën e 12-të dhe kuqezinjtë e Ernest Gjokës e menaxhuan këtë avantazh deri në fund. Kualifikim më të lehtë arriti Shkupi.

 

Rezultatet e dueleve të sotme

Bardhekaltrit triumfuan me një “manita” të pastër përballë Kit Go Pehchevo, falë golave të Bianor, Bilallit, Glisic, Ademit dhe Goudiaby, me katër prej golave që u realizuan në fraksionin e parë të ndeshjes.

E fortë dhe emocionuese përballja me Strugës dhe Rabotnickit. 120 minutat nuk dhuruan asnjë gol dhe gjithçka u vendos nga penalltitë. Ekipi shqiptar u tregua më i saktë, edhe pse e nisi keq duke humbur dy penalltitë e parë.

Mesfushori i Strugës, Nijaz Lena dhuroi spektakël me “panenkën” e tij të bukur, veprim dhe gol që ktheu gjithçka në favor të skuadrës së tij në aspektin psikologjik. Në fund 4-3 dhe Struga në çerekfinale.

Penalltitë i buzëqeshën edhe Renovës, ekipit tjetër shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Tetovarët e mbyllën 2-2 takimin ndaj Pelister dhe triumfuan pas goditjeve nga pike e bardhë, duke kompletuar pasditen pozitive të ekipeve shqiptare. /abcnews.al