Në fshatin Koljakaj të Lezhës, festa fetare e Shën Markut është kthyer tashmë në një traditë që bashkon gjithë komunitetin. Pavarësisht përkatësisë fetare apo kulturore, banorët dhe shumë mysafirë marrin pjesë në këtë ngjarje, që vlerësohet si një simbol i bashkimit dhe mikpritjes.
Kol Kunora nuk e fsheh emocionin për këtë rikthim në vendlindje dhe vlerëson organizatorët që e bëjnë të mundur këtë bashkim.
I ndikuar nga dëshira për ta mbajtur fshatin të bashkuar, organizatori i festës, Kreshnik Mujeci, apelon veçanërisht tek të rinjtë për t’u angazhuar më shumë në jetën e komunitetit dhe për të mos harruar rrënjët.
Për kontributin në promovimin e vlerave etnokulturore dhe forcimin e ndjenjës së identitetit, shoqata “Sofra e Malësisë – Rrno për me tregue”, përmes kryetarit të saj Nikoll Gjoni, i ka akorduar Mujecit një certifikatë mirënjohjeje.
Festa e Shën Markut organizohet për të tretin vit radhazi në livadhet mbi Koljakaj, ku është vendosur edhe një kryq i madh simbolik. Ajo është kthyer në një manifestim të harmonisë fetare, unitetit të banorëve dhe gëzimit të përbashkët që tejkalon çdo dallim./abcnews.al