Parada e fitores se Premier League u kthye në një makth për tifozët e Liverpool. Gjatë festimeve, një makinë mori para turmën, duke plagosur disa persona. Numri i te lënduarve dhe gjendja e tyre nuk janë bere ende te ditura.
Policia arrestoi një 53-vjeçar për ngjarjen, teksa nuk dihen ende motivet pas sulmit. Në hetim është përfshirë edhe policia antiterroriste, duke ngritur dyshime se kemi të bëjmë me një rast sulmi terrorist.
Kryeministri britanik Keir Starmer tha në një deklaratë se skenat në Liverpool ishin të tmerrshme dhe shprehu mbështetjen e tij për të plagosurit.
Në një reagim në rrjetet sociale klubi i Liverpool shprehu keqardhjen për ngjarjen dhe tha se mendimet dhe lutjet e tyre shkojnë për të prekurit.
Edhe rivalët e qytetit, Everton reaguan dhe ofruan mbështetjen për “The reds” dhe të prekurit nga ngjarja e rëndë.
Në paradën e fitores së titullit të 20 të Liverpool ishin mbledhur rreth një milion njerëz sipas mediave britanike.
Dëshmitarët treguan se makina hyri mes tyre, teksa u përpoqën ta ndalonin shoferin. Disa madje thyen xhamat në përpjekje për ta nxjerrë nga makina, por policia e arrestoi menjëherë./abcnews.al