Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë uruar besimtarët katolikë për festën e Krishtlindjes, duke theksuar unitetin e popullit të Kosovës në shënimin e festave fetare dhe bashkëpunimin ndërfetar.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në këtë kohë kur bota po përballet me pandeminë e COVID-19 “duhet të mendojmë për të gjithë ata që janë në vështirësi”.
Në urimin e saj për festën e Krishtlindjes, Osmani ka bërë thirrje që t’iu “zgjatet dora atyre që janë në nevojë, dhe të ngjallim shpresën për një të ardhme më të mirë”
“Festat fetare tek populli ynë gjithherë na kanë bashkuar. Si çdo vit edhe sivjet, të festojmë bashkë, të jemi solidarë dhe të reflektojmë harmoni”, thuhet në urimin e Osmanit.
Ndërsa kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, tha në urimin e tij se “tradita 2 mijë vjeçare e krishtërimit ndër shqiptar është faktor përcaktues në karakterin tonë unik kulturor dhe shpirtëror”.
“Ne jemi shembull i mirëkuptimit dhe hamonisë në diversitet. Historia na ka përcaktuar që ne të kemi besime të ndryshme por kjo asnjëherë nuk na ka penguar që ta duam më shumë njeri tjetrit dhe t’i kremtojmë bashkë gjitha festat tona”, ka thënë Hoti përmes një video mesazhi të publikuar në faqen e tij në Facebook.
Festën e Krishtlindjes e kanë uruar edhe përfaqësues të spektrit politik, ndërsa në urimin e Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava drejtuar Ipeshkvit të Ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji, thuhet se “festat fetare te ne si gjithherë, e edhe në këtë rast, paraqesin momentin e ndërgjegjësimit për bashkim, unitet, respekt, dashuri e solidaritet”.REL