Fitër Bajrami është festuar sot edhe në Kosovë. Lutja e mëngjesit është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ndërsa myftiu i Kosovës Naim Tërnava dërgoi mesazhe për solidaritet por edhe për përgjegjshmëri të faktorit politik në vend.
Besimtarët myslimanë në Kosova festojnë sot Fitër Bajrami. Lutjet e mëngjesit u mbajtën në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Namazi i Fitër Bajramit është falur në orën 06:18, nën udhëheqjen e kryeimamit të Bashkësia Islame të Kosovës, Vedat Sahiti, ndërsa fjalën tradicionale e ka mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili u është drejtuar besimtarëve me mesazhe paqeje dhe solidariteti.
Në mesazhin e tij, Tërnava theksoi se dialogu është më i fortë se përçarja.
“S’ka dyshim që edhe shoqëria jonë po përballet me sfida të shumta. Shpesh shohim tensione, përçarje, vështirësi në zgjidhjen e problemeve politike apo sociale, të cilat direkt prekin jetën e qytetarit. Duhet ditur se dialogu është më i fort se përçarja, se urtësia është me e fort se zemërimi, se përgjegjësia është më e fort se interesi personal”, tha Myftiu i Kosovës.
Në fund ai theksoi se e ndjen obligim moral t’i drejtohet me një fjalë të sinqertë edhe faktorit politikë të vendit tonë.
“Është e pa pranueshme që sot në kohë paqeje dhe në kushte të një sistemi demokratik, vendi ynë të ngecë për shkak të vullnetit politikë për kompromis, dialog, përgjegjësi dhe për pasojë zhvillimi i shoqërisë sonë të mbetet peng i krizave politike. Në moment të tilla kërkohet maturi e vetëdije e lartë shtetërore , kërkohet kulturë dialogu e mbi të gjitha kërkohet sakrificë për të vendosur interesat e vendit dhe kombit mbi çdo interes tjetër. Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë urtësi në politikë”, shtoi më tej Tërnava.
Si zakonisht në kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës hapi dyert për pritjen tradicionale të urimeve, ku parakaluan të gjitha figurat politike në vend.
Në Kosovë, qytetarët e kremtojnë këtë festë me vizita familjare, ndarje gëzimi dhe respektim të traditave të trashëguara ndër breza.


