Ekipi më “legjendar” i Formula 1, Ferrari duket se nga viti në vit po e humbet atë shkëlqimin e dikurshëm, me pilotët aktualë të “kokëkuqes”, Charles Leclerc e Carlos Sainz, që sa vijnë e zhgënjejnë me performancat e tyre, duke u rendit pothuajse gjithmonë pas Red Bull e Aston Martin e ndonjëherë edhe pas Mercedes.
Kampionët italianë kanë nevojë për diçka të re në mënyrë që të rikthehen në krye të elitës së garave të motomjeteve dhe së fundmi një koment mbi gjëndjen e skuterisë së “kokëkuqes” e ka dhënë dhe vëllai i pronarit të Ferrari, Lapo Elkann, i cili thotë se “Ferrari” duhet trajtuar me më shumë seriozitet.
“Ferrari ka nevojë për njerëz serioz dhe një skuadër fituese, këtë e kam për ata që punojnë në bokse dhe ata që janë në pistë. Është koha për t’u zgjuar. Boll më me kto politikat dhe justifikimet pasi përndryshe nuk do të fitojmë kurrë”,- u shpreh Lapo Elkann në fjalën e tij.
Nga ana tjetër, ky i fundit i doli në krah edhe tifozëve të cilët shprehen se presidenca, ku bën pjesë edhe vëllai i Lapos, është inekzistente. /i.m /abcnews.al