Fermeri shndërron kodrat e Libofshës në plantacione me ullishte dhe dru frutorë

schedule14:40 - 6 Dhjetor, 2020

schedule 14:40 - 6 Dhjetor, 2020

Hapësirat e mëdha fushore, në zemër të Myzeqesë nuk mjaftojnë për fermerët e palodhur të Libofshës të cilët tani po kthejnë edhe kodrat në plantacione me të mbjella. Një investim por edhe një amanet i çuar në vend për familjen Çuni në fshatin Vanaj.

Me profesion teknik ndërtimi 61-vjeçari ka punuar në qytete të ndryshme të vendit deri sa hapi një punishte mobiliesh. Nga ana tjetër bujqësinë nuk e braktisi duke kultivuar drithëra dhe foragjere.

“Fillimi i punës time ka qenë mobileria, duke punuar, duke marrë të ardhura, pa u larguar nga zona ku jetoj’, thotë Josifi.

Por nëse mbjellja e fushës është zakon i myzeqarëve, kultivimi i ullinjve nëpër kodra përveçse punë kërkon edhe shumë guxim. Është mundi i një jetë të tërë dhe trashëgimia e një brezi. “Jemi të kompletuar te toka e gjyshit”, thotë ai.

15 ha me ullinj dhe pemë frutore mbinë aty ku për dekada sundonte bimësia e egër. E pamundur  për tu përshkuar edhe me këmbë tani kjo zonë ka rrugë të gjera dhe sisteme kullimi.

Ky plantacion është vetëm një nga ambiciet që Josif Çuni ka realizuar gjatë jetës së tij. Me profesion teknik ndërtimi, 61 vjeçari ka ndërtuar vetë edhe shtëpinë e ëndrrave. Porta që kujton shtëpitë e vjetra myzeqare, dritaret njëra pas tjetrës dhe çdo detaj janë ideuar nga vetë ai.

Mes dy profesioneve dhe një pasioni, Josif Çuni njihet edhe për triumfet në sportin e gjuetisë. “Nuk e kam gjuetinë që të vras dhe të masakron, e quaj si sport”, tregon ai.

Libofsha shtrihet në një territor që konsiderohet zemra e Myzeqesë çka ka orientuar fermerët të mbjellin kryesisht drithëra dhe perime. Ullinjtë dhe drurët frutorë janë të rrallë për zonën duke qenë se kultivimi i tyre kërkon terren të kodrinor ndërsa ky i fundit është i vështirë për tu punuar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!