Fermerët e Elbasanit pa prodhim

schedule14:41 - 1 Nëntor, 2018

schedule 14:41 - 1 Nëntor, 2018

Ata fermerë që jetojnë me kultivimin e ullirit në Elbasan duket se këtë sezon janë të falimentuar. Nuk dihen shkaqet, por fermerët tregojnë se nuk ka prodhim të ullirit, ndoshta për shkak të ndotjes së zonës.

Në drurë kanë mbetur vetëm gjethe. Kokrra këtë vit nuk ka. Mijëra rrënjë ullinj, nga Bradasheshi deri në Papër nuk lidhën asnjë fryt. Po kështu edhe në kurorën e Elbasanit.

“Banorët mendojnë se shkak për një situatë të tillë është ndotja e krijuar nga operatorët industrialë që janë në Elbasan. Ata shpreh që vetëm me eleminimin e ndotjes mund të kthehet prodhimi në këtë zonë. Për këtë qëllim ata janë ankuar në pushtetin vendor, po ashtu dhe atë qendror, por deri më tani shumë pak është bërë në këtë drejtim”, raporton gazetari i ABC News, Fatos Salliu.

Fermeri Bashkim Tollumi në fshatin Fikas ka ullinj të vjetër. Por ka mbjellë edhe tre plantacione me ullinj të rinj. Terreni është i thyer në këtë fshat dhe nuk mund të mbjellë as drithëra dhe as perime. Tokën në fushë ia gllabëroi Kombinati Metalurgjik. Ndaj e vetmja zgjidhje ishte të merrej me këtë sektor në bujqësi.

“Këtu nuk ka as tokë. Dy dynumë për shtëpi. Njerëzit janë larguar jashtë shtetit të gjithë”, tha Bashkim Tollumi.

Por sivjet nuk mundi të grumbullojë asnjë kuintal. Ndonëse kishte parashikuar, jo vetëm për nevojat e veta, por edhe të shiste në treg. Ai dhe banorët e tjerë e kanë një shpjegim. Nuk fajëson as motin, as shërbimet e kryera. Por thjesht ndotjen e mjedisit të shkaktuar nga zona industriale.

“Të thuash koha. Jo. Thatësirë? Jo. Mendimi im dhe i të gjithë njerëzve se duke filluar industria, metalurgjia, KURUM-i, dy fabrikatb e ferrokromit, një fabrikë nafte tjetër. Në kohën e lulëzimit përhapet ai tymi dhe kështu mendojnë të gjithë”, tha fermeri.

Edhe helmet nuk japin efekt. Prodhimi ka rënë edhe te pemët e tjera. Kafshët mungojnë, toka po shkretohet sepse nuk ekziston më një cikël i natyrshëm biologjik.

“Banorët e fshatrave nga Bradasheshi deri në Papër ankohen se sivjet prodhimi i ullirit ka qenë në nivelet e pothuajse zero. Sipas tyre, jo vetëm ulliri, por edhe drurët dhe perimet kanë ulur ndjeshëm prodhimin vitet e fundit”, raportoi Fatos Salliu.

Banorët janë ankuar për ndotjen. Dy vitet e fundit ata kanë protestuar edhe para dyerve të operatorëve në Metalurgji. Por gjendja vazhdon të rëndohet dhe pas disa vitesh aty nuk do të ketë më asnjë njeri. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!