Fermerët amerikanë kundër dëbimit të emigrantëve të paligjshëm që punojnë në bujqësi

schedule21:24 - 26 Nëntor, 2024

schedule 21:24 - 26 Nëntor, 2024

Organizatat e fermerëve amerikanë po i bëjnë thirrje Presidentit të zgjedhur Donald Trump që mos përfshijë në dëbimet masive, emigrantët që punojnë në sektorin e tyre. Ato thonë se dëbimi i tyre mund ta dëmtojë zinxhirin e furnizimit me ushqime, i cili mbështetet shumë tek emigrantët që janë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme.

Deri tani, zyrtarët e ekipit të Presidentit të zgjedhur Trump nuk janë zotuar për ndonjë përjashtim, sipas intervistave me organizatat e fermerëve dhe punëtorëve, si dhe drejtuesin e ardhshëm kombëtar për emigracionin, Tom Homan.

Gati gjysma e rreth 2 milionë punëtorëve në fermat amerikane nuk kanë status të ligjshëm, sipas të dhënave të departamenteve të Punës dhe Bujqësisë, si dhe shumë punëtorë të sektorëve të bulmetit dhe paketimit të mishit.

Presidenti i zgjedhur republikan Donald Trump është zotuar të dëbojë miliona emigrantë që gjenden ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, si pjesë e fushatës së tij për rizgjedhjen. Kritikët thonë se kjo do të ishte një ndërmarrje sfiduese logjistike, që mund të ndajë familjet dhe të prishë bizneset amerikane.

Zoti Homan ka thënë se strukturat e zbatimit të ligjeve për emigracionin do të përqendrohen tek kriminelët dhe personat për të cilët janë lëshuar urdhra përfundimtarë dëbimi, por se nuk do të përjashtohet asnjë emigrant që gjendet ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.

Ai i tha kanalit televiziv Fox News më 11 nëntor se zbatimi i ligjeve në bizneset “do të duhej të ndodhte”, por nuk ka thënë nëse do të vendoset në objektiv sektori i bujqësisë.

“Kemi shumë për të bërë”, tha zoti Homan në një intervistë telefonike këtë muaj./voa