Fenonemi El Nino dhe ndryshimi i klimës, si u bë Evropa një “oxhak vullkani”?!

schedule18:37 - 1 Gusht, 2023

schedule 18:37 - 1 Gusht, 2023

Korriku është regjistruar si muaji më i nxehtë i të gjitha kohërave. Vala e të nxehtit ka shkaktuar edhe viktima. Në Meksikë qeveria njoftoi se në katër muajt e fundit u regjistruan 294 viktima. Shkencëtarët kanë paralajmëruar se planeti po përjeton ‘stuhinë’ e zjarrit. Intensiteti i fenomenit i quajtur El Nino, solli luhatje të rrezatimit diellor, si edhe shpërthime vullkani nënujore.

“2023 është viti që do të kujtohet shumë gjatë për shkak të temperaturave të larta”.

Shkencëtarët thonë se atmosfera e mbinxehur nga dioksidi i karbonit dhe gazrat e tjerë e bëri valën e të nxehtit në Evropë 2.5 gradë Celsius më e nxehtë (se do të kishte qenë pa ndotjen e ajrit), në Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë 2 gradë Celsius më lart dhe në Kinë 1 gradë më të ngrohtë.

Sipas studimeve të fundit, klima nuk pritet të stabilizohet, ndërsa shtohet se valët e të nxehtit si ato që përjetuam në korrik do të bëhen më të shpeshta. Valët e të nxehtit si të këtij viti në Greqi, Itali, Spanjë dhe disa shtete të Ballkanit ka të ngjarë të përsëriten çdo dekadë, me gjendjen aktuale të klimës, ose do të bëhen shumë më të shpeshta nëse ngrohja globale vazhdon.

Kjo është edhe arsyeja pse Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka paralajmëruar për një periudhë ekstreme në të cilën kemi hyrë tashmë.

Ndërkohë këtë herë El Niño është shumë i fortë, duke nxitur OKB-në të përshkruajë një “kulm të paprecedentë” të temperaturave të sipërfaqes së detit në Atlantikun e Veriut, duke përshpejtuar shkrirjen e akullit në Antarktidë.

Ky fenomen përhapet edhe në Mesdhe, duke shkaktuar temperatura dhe rekorde të papara në shtetet mesdhetare.