Fenomeni i motit El Niño, i cili shoqërohet me një rritje të temperaturave globale, do të vazhdojë gjatë dimrit dhe pranverës në hemisferën veriore, njoftoi Organizata Botërore Meteorologjike e OKB-së (WMO).
Sipas një njoftimi të Organizatës Botërore Meteorologjike, shanset që të zgjatet fenomeni ciklik i motit deri në prill 2024 arrijnë në 90%. Dhe ka gjithashtu shumë të ngjarë që El Niño të jetë në kulmin e tij këtë dimër me “intensitet të fortë”.
“Në shtator, temperaturat sipërfaqësore në Paqësorin ekuatorial qendror-lindor shfaqën karakteristikat e një episodi mesatarisht intensiv të El Niño”, shpjegon agjencia e OKB-së.
“Kjo përmbajtje nxehtësie më e lartë se normalja ka favorizuar rritje të qëndrueshme të temperaturave të sipërfaqes së detit gjatë katër muajve të fundit dhe pritet të shkaktojë rritje të mëtejshme (megjithëse më të dobëta) në këto temperatura në muajt e ardhshëm, në varësi të intensitetit dhe natyrës së atmosferës”, sipas WMO.
Sipas ekspertëve dhe duke pasur parasysh evolucionin e episodeve të mëparshme të ngrohta, si dhe parashikimet më të fundit afatgjata, dobësimi gradual i El Niño nuk pritet të ndodhë deri në pranverën e vitit 2024 në hemisferën veriore, ndërsa mundësia që të ndodhi një episod La Niña është pothuajse zero.
Pas një vere me temperaturat mesatare globale më të nxehta të regjistruara ndonjëherë, Observatori Evropian i Kopernikut njoftoi në shtator se “duke pasur parasysh temperaturat jashtëzakonisht të larta të sipërfaqes së oqeanit, ka të ngjarë që viti 2023 të jetë viti më i ngrohtë i regjistruar”.
Ky parashikim ndahet nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së, e cila njoftoi se ka një shans 99% që viti 2023 të jetë një vit me temperatura të larta rekord.
“Viti i ardhshëm ka të ngjarë të jetë edhe më i ngrohtë. Kjo është qartë dhe pa dyshim për shkak të përqendrimeve në rritje të gazeve serrë që bllokojnë nxehtësinë e shkaktuar nga aktivitetet njerëzore”, tha në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i WMO Profesor Peteri Taalas. “Ngjarjet ekstreme si valët e të nxehtit, thatësirat, zjarret në pyje, reshjet e dendura dhe përmbytjet do të rriten në disa zona të prekura rëndë,” paralajmëron Peteri Taalas.