Janë ende në pritje të drejtësisë fëmijët e ish të burgosurve të gulagëve sovjetikë, të cilët kanë kërkuar të mund të rikthehen në shtëpitë që kishin dikur prindërit e tyre. Një kërkesë që është pranuar nga drejtësia ruse por që nuk është aplikuar deri në fund.
Disa prej tyre, tashmë të moshuar, shprehen se rikthimi në shtëpitë e prindërve do të ishte dhe realizimi i premtimit që iu bë atyre, në një kohë që dërgoheshin në fshatra të humbur të Rusisë në kohën e Stalinit.
Rruga Petrovka , pak hapa larg Kremlinit, është një nga zonat në të cilat jetonin disa familje që më pas përfunduan në Siberi. Petrovka është në zemër të Moskës. Avokatët e këtyre fëmijëve shprehen se kanë arritur t’i tregojnë botës se ata ekzistojnë dhe po luftojnë që të kthehen në shtëpitë e tyre pasi kanë të drejtë ta bëjnë.
Në parlamentin rus votimi i dytë i projektligjit nis në 18 janar dhe konsiderohet si rasti i fundit për të miratuar amendamentet e domosdoshme në mënyrë që ligji të funksionojë. Dhe kombet e bashkuara, përveç një peticioni me personalitete të rëndësishme dhe 80 mijë firma, kanë kërkuar që qeveria ruse të veprojë sa më shpejt./abcnews.al