Femicidet në Ballkan po nxjerrin në pah dobësitë e sistemit

schedule11:04 - 6 Dhjetor, 2023

schedule 11:04 - 6 Dhjetor, 2023

Një burrë në Bosnje vrau gruan e tij dhe e transmetoi vrasjen drejtpërdrejt në Instagram. Në Serbi, përkundër përpjekjeve për të rritur ndërgjegjësimin, janë raportuar 27 femicide në vitin 2023. Aktivistët në Kosovë pohojnë se dhuna ndaj grave është në “gjendje e jashtëzakonshme”.

Në Ballkanin Perëndimor, gratë ngacmohen, përdhunohen, dhunohen dhe vriten, shpesh nga partnerët e tyre dhe kanë raportuar vazhdimisht dhunën tek autoritetet. Rajoni ka një traditë shekullore të patriarkalizmit, megjithatë, problemi u bë më i mprehtë pas luftërave të viteve 1990.

Në përgjigje të situatës, grupet e grave kanë mbajtur protesta për të rritur ndërgjegjësimin e publikut. Aktivistët nga ana tjetër kanë akuzuar autoritetet se nuk kanë vepruar me vendosmëri për të mbrojtur gratë, raporton abcnews.al.

Në Ballkanin Perëndimor, shumica e vendeve kanë miratuar ligje dhe rregullore për të luftuar dhunën ndaj grave, por nuk zbatohen plotësisht. Bosnja, për shembull, ishte ndër vendet e para që ratifikoi Konventën e Stambollit për Dhunën Kundër Grave, por problemi sa vjen e shtohet që atëherë.

“Dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje është një fenomen global. Ato janë kudo, por çështja kryesore është reagimi i shtetit ndaj dhunës”, tha Vanja Makanovic, nga Qendra Autonome e Grave të Serbisë.

“Për fat të keq, ajo që shohim këtu në Ballkan është se dhuna është ‘miratuar’. Është një model sjelljeje që nuk dënohet mjaftueshëm në sferën publike. Ne kemi nënshkruar të gjitha deklaratat, rezolutat dhe konventat përkatëse ndërkombëtare, por zbatimi i tyre po ecën shumë ngadalë”, thekson Makanovic.

“Shumë njerëz ende e shohin dhunën në familje si një çështje private, një çështje private mes dy personave. Ata nuk e kuptojnë se ky është një problem social”, shtoi ajo.

Sipas observatorëve për dhunën me bazë gjinore, një nga problemet kryesore për dhunën dhe vrasjen e grave në Bosnje janë dënimet e buta.

Një raport i vitit 2022 nga GREVIO, një organ ekspert që monitoron zbatimin e Konventës së Stambollit, tha se këto praktika gjyqësore nxisin një “ndjenjë mosndëshkimi” të përjetuar si nga autorët ashtu edhe nga viktimat e tyre, raporton abcnews.al.

Sipas Milishevic, ka pasur një rast në të cilin një femicid është dënuar me dënim maksimal prej 40 vjetësh. Gjithsej 65 gra janë vrarë në 10 vitet e fundit dhe pesë u kanë mbijetuar tentativave për vrasje në vendin me 3.3 milionë banorë, sipas shifrave lokale.

Situata është e ngjashme në Kosovë, ku përdhunimi i një vajze 11-vjeçare nga pesë burra vitin e kaluar shkaktoi protesta në rrugë duke kërkuar sigurinë e grave, gjë që çoi në dorëheqjen e shefit të policisë.

Protestuesit dolën përsëri në rrugë atë vit, të zemëruar nga dy vrasje në Prishtinë. Një mësuese gjeografie 63-vjeçare u vra nga bashkëshorti i saj, ndërsa një grua shtatzënë u vra nga partneri i saj teksa priste të lindte.

Gjithsej 66 gra janë vrarë nga partnerët apo bashkëshortët që nga viti 2000 në Kosovë, ndërsa vetëm një autor është dënuar me burgim të përjetshëm, sipas statistikave zyrtare.

Departamenti i Drejtësisë përdori mesazhet si një mjet për të paralajmëruar kundër dhunës dhe për t’i nxitur gratë të raportojnë sulmet. Zyrtarët e lartë kanë kërkuar publikisht dënime më të ashpra për autorët dhe kanë kritikuar praktikat e kaluara.

“Sistemi i drejtësisë duhet t’i japë përparësi rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave”, tha kryeministri Albin Kurti në një konferencë të martën të quajtur: “Të bashkuar kundër dhunës, mjaft!” Kryeministri iu referua “rasteve kur kriminelët lirohen dhe krimet përsëriten edhe më keq se herën e parë”.

Një ngjarje tjetër e rëndë ndodhi sërish në Prishtinë, ku një 30 vjeçare u vra nga bashkëshorti i saj, një vrasje që tronditi të gjithë vendin.

Krimi ishte inskenuar si një grabitje. Bashkëshorti, i cili tashmë ndodhet në paraburgim së  bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë kishte paguar për vrasjen e gruas të tij 30 mijë euro. Ende nuk dihet motivet e ngjarjes kaq makabre.

Dhuna vazhdon dhe do të vazhdojë, beson Vesna Stanojevic , e cila drejton një zinxhir strehimoresh për gratë në Serbi.

“Ndonjëherë ne pranojmë gra që janë rrahur aq keq sa nuk mund të ecin ose të lëvizin kokën, të cilat kanë ardhur nga spitali, që janë gati të lindin, që kanë lëndime në stomak,” tha ajo.

Deri më tani, më shumë se 40 gra dhe fëmijë janë duke qëndruar në strehimoret e menaxhuara nga organizata e saj.

“Në 32 vitet e punës sime nuk kam parë që dhuna të pakësohet. Ndonjëherë ka më shumë, ndonjëherë më pak, por në përgjithësi është gjithmonë atje.

Ndërkohë një tjetër ngjarje e rëndë u raportua në Maqedoninë e Veriut, ku një 14 vjeçarë u rrëmbye dhe më pas u gjend e vdekur. E mitura rezultonte e zhdukur që prej 27 nëntorit, pas daljes nga shtëpia për të shkuar në shkollë. Trupi i pajetë u gjet të dielën, raporton abcnews.al

Dyshohet se i përfshirë është edhe babai i saj, i cili ka informuar anëtarët tjerë për kohën kur ka dalë vajza nga shtëpia dhe lëvizjen e saj drejt shkollës. Sipas organeve policore dhe prokurorisë, deri tani motivi për kryerjen e vrasjeve besohet të jetë “përfitimi material“.

Forcat e rendit gjetën një automjet të djegur, tip “Citroen”, ku pas ekspertizës janë gjetur prova materiale për përfshirjen e personave të ndaluar.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!