Përgjegjësi i sektorit të video-analizës në FSHF, Alarico Rossi, ishte i ftuar në kursin e skautizmit nga Federata Italiane e Futbollit në Koverçiano, për të mbajtur një leksion për të gjithë pjesëmarrësit e këtij kursi.
Falë eksperiencës së tij të madhe në botën e futbollit e në veçanti në sektorin e video-analizës që lidhet ngushtë edhe me atë të skautizmit, Alarico Rossi, foli për rëndësinë që ka një video-analist në botën e futbollit dhe pse ky profesion po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në stafin teknik të një skuadre.
Gjithashtu Alarico Rossi foli edhe për zhvillimin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe tregoi momentet fantastike të rrugëtimit të Kombëtares kuqezi drejt kualifikimit në finalet e Europianit “Gjermani 2024”.
Alarico Rossi prej disa vitesh është pjesë e rëndësishme e FSHF-së duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ekipin Kombëtar dhe jo vetëm, pasi është pjesë e organizimit të disa kurseve në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” që ndihmojnë në formimin e shumë profesionistëve për profesionet më të kërkuara në botën e futbollin modern.
Shpeshherë në kurset që organizohen nga FSHF marrin pjesë si të ftuar specialë persona të rëndësishëm nga botën e futbollit, për të ndarë eksperiencën e tyre me kursantët, ndërsa për herë të parë Federata Italiane e Futbollit fton një lektor nga FSHF për të ndarë eksperiencën e tij dhe për të folur rreth sukseseve dhe zhvillimit të futbollit në vendin tonë./h.ll/abcnews.al