Ekspertët shëndetësorë që këshillojnë Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) kanë rekomanduar miratimin emergjent për vaksinën e koronavirusit Pfizer-BioNTech.
Vendimi vjen pasi një panel prej 23 anëtarësh u takua për të përcaktuar nëse përfitimet e ilaçit tejkalojnë rreziqet. Vaksina Pfizer tashmë është aprovuar për publikun në Britani, Kanada, Bahrein dhe Arabinë Saudite.
Vaksina duhet të miratohet zyrtarisht nga shefi i vaksinave të FDA, dhe pritet në ditët në vijim, shkruan BBC, përcjell abcnews.al.
Rekomandimi vjen një ditë pasi SHBA regjistroi më shumë se 3,000 vdekje nbrenda 24 orëve, totali më i lartë në një ditë të vetme i shënuar në botë.
Alex Azar, sekretari amerikan i shëndetësisë, tha të mërkurën se pas takimit të FDA, “atëherë mund të kemi një vaksinë brenda ditësh dhe ta administrojmë atë tek më të prekshmit deri në javën e ardhshme”.
Operacioni Warp Speed, programi i shpërndarjes së vaksinave të qeverisë federale, ka thënë që dorëzimet e vaksinave do të fillojnë brenda 24 orëve nga miratimi.
Pfizer ka në plan të ketë 6.4 milion doza të gatshme për SHBA në raundin e saj të parë në fund të dhjetorit. Për shkak se kërkohen dy doza për person, kjo është e mjaftueshme për tre milion njerëz, nga një popullsi totale amerikane prej 330 milion. g.v/abcnews.al