Administrata Amerikane për Ushqimin dhe Barnat (FDA) ka miratuar ilaçin e ri të kompanisë farmaceutike zvicerane Roche, Wilserdly (giredestrant), për trajtimin e pacienteve me kancer të avancuar ose metastatik të gjirit.
Medikamenti merret në formë tabletash dhe përdoret në kombinim me everolimus. Ai është i destinuar për pacientet me kancer gjiri ER-pozitiv dhe HER2-negativ, të cilat kanë mutacion të gjenit ESR1.
Sipas rezultateve të studimit klinik, kombinimi i dy barnave ka ulur me 62% rrezikun e përparimit të sëmundjes ose vdekjes, krahasuar me terapinë e përdorur në grupin e kontrollit.
Sipas Swissinfo, Roche pret që medikamenti i ri t’i sigurojë kompanisë të ardhura prej 500 deri në 600 milionë dollarësh gjatë vitit 2027. Çmimi i listuar në SHBA është 22.500 dollarë në muaj.
Miratimi nga FDA përbën një zhvillim të rëndësishëm për kompaninë me seli në Bazel, e cila synon të zgjerojë përdorimin e këtij trajtimi edhe në fazat më të hershme të kancerit të gjirit.



