FBI paralajmëron për kërcënim të gjerë ndaj sinagogave në Nju Xhersi

schedule08:27 - 4 Nëntor, 2022

schedule 08:27 - 4 Nëntor, 2022

FBI-ja tha të enjten se kishte marrë informacion të besueshëm në lidhje me një kërcënim “të gjerë” për sinagogat në Nju Xhersi, një paralajmërim që nxiti disa bashki të dërgonin oficerë policie shtesë për të ruajtur këto objekte fetare.

Natyra e kërcënimit është e paqartë. Zyra e FBI-së në Newark bëri një deklaratë duke u kërkuar sinagogave që “të marrin të gjitha masat paraprake të sigurisë për të mbrojtur komunitetin dhe objektin tuaj”, por pa treguar se kush e bëri kërcënimin, ose përse.

Alarmi u publikua pasi zyrtarët zbuluan një kërcënim në internet të drejtuar gjerësisht ndaj sinagogave në Nju Xhersi, tha një zyrtar i zbatimit të ligjit. Postimi nuk përmendte ndonjë sinagogë specifike, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti me agjencinë e lajmeve Associated Press.

Pyetjet e dërguara zyrës së FBI-së në Newark nuk morën përgjigje.

Paralajmërimet publike rreth kërcënimeve jo specifike kundër institucioneve hebraike, të bëra nga një sërë grupesh, përfshirë supremacistët e krishterë dhe ekstremistët islamikë, nuk janë të pazakonta në zonën metropolitane të Nju Jorkut dhe shumë prej tyre rezultojnë të jenë alarme të rreme. Por kjo zonë ka parë edhe sulme vdekjeprurëse.

Në Jersey City, kryebashkiaku Steven Fulop tha se policia do të vendoset në të shtatë sinagogat e qytetit dhe do të shtohen patrullat në këmbë në komunitetin hebre. Në vitin 2019, dy sulmues të motivuar nga urrejtja ndaj hebrenjve vranë një oficer policie, më pas shkuan me makinë në një treg kosher në Jersey City dhe vranë tre persona të tjerë, përpara se të vriteshin në dyluftim me policinë.

Oficerët e policisë të pajisur me armatim të rëndë ruanin një sinagogë në një qytet, në Hoboken, ku drejtori i sigurisë publike njoftoi gjithashtu shtimin e patrullave në komunitetet hebraike.

Pesë vite më parë, dy persona nga Nju Xhersi u dënuan me 35 vjet burg, pasi u dënuan për një seri sulmesh në vitin 2012, ku përfshiheshin bomba me zjarr në dy sinagoga. Ata hodhën gjithashtu një bombë molotov në shtëpinë e një rabini ndërsa ai flinte me gruan dhe fëmijët e tij.

Në vitin 2019, një burrë goditi me thikë pesë persona në një festë Hanukkah në shtëpinë e një rabini në një komunitet hebre ortodoks në veri të qytetit të Nju Jorkut, duke plagosur për vdekje një person.

Ligjvënësi demokrat nga Nju Xhersi, Josh Gottheimer, tha se ishte “i shqetësuar dhe i zemëruar” nga kërcënimi i fundit kundër hebrenjve.

“Jam thellësisht i shqetësuar dhe i indinjuar nga alarmi i sotëm nga FBI-ja”, tha Ligjvënësi Gottheimer. “Kjo është ajo që ndodh pas viteve të komenteve antisemite nga figurat publike”, shtoi ai, duke përmendur komentet e fundit nga Kanye West dhe nga një media sociale të shpërndara nga ylli i kampionatit të basketbollit NBA, Kyrie Irving.

FBI-ja nuk dha ndonjë informacion që do të sugjeronte se rreziku që shkaktoi paralajmërimin ishte i lidhur me debatin publik mbi këto komente.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!