FBI kërkoi dokumente për armë bërthamore në rezidencën e Trump

schedule09:05 - 12 Gusht, 2022

schedule 09:05 - 12 Gusht, 2022

Kontrolli i FBI-së në rezidencën e ish presidentit të Shteteve të Bashkuara në Florida u bë për të kontrolluar për dokumente shumë sekrete që kanë lidhje me armët bërthamore, sipas CNN.

Në bazë të burimeve, bastisja aspak e zakontë tregoi shqetësimin brenda qeverisë së SHBA-së për informacionin që mbante ish presidenti në Mar-a-Lago dhe rrezikun se ai mund të përfundonte në duart e gabuara.

Nga ana tjetër presidenti Trump deklaroi se nuk ka asgjë për të fshehur, pasi e quajti bastisjen anti-amerikane. Gjykatësi i ngarkuar për këtë çështje, i cili ka marrë kërcënime me vdekje dhe abuzime në mediat sociale nga mbështetësit e Trump, mund të vendosë ende të mbështesë mocionin e Departamentit të Drejtësisë, edhe nëse ish-Presidenti dëshiron ta mbajë sekret informacionin.

Më herët, Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland zbuloi se ishte ai që e miratoi urdhrin për kërkim në shtëpinë e Trump. Garland mbrojti agjentët e FBI-së dhe zyrtarët e departamentit të drejtësisë duke thënë se ata bënë vetëm detyrën, raporton abcnews.al.

Bastisja e së hënës ishte hera e parë në historinë amerikane që shtëpia e një ish-presidenti kontrollohej si pjesë e një hetimi penal. Trump dhe republikanë të tjerë e kanë dënuar masën si të motivuar politikisht.

Garland kërkoi të mbronte departamentin e tij dhe procesin gjyqësor, pasi këmbënguli se çdo hap në hetim ishte marrë i mirëmenduar. CNN thotë se nuk e ka konfirmuar në mënyrë të pavarur këtë raport, por nëse rezulton se Trump ka marrë një material të tillë nga Shtëpia e Bardhë, do të ngrinte pyetjen se përse një ish-president do të kishte nevojë për sekrete të tilla të ruajtura pas largimit nga detyra, raporton abcnews.al.

Mundësia që një material i tillë të mbahej në një objekt të pasigurt, ku mysafirët shkojnë e vijnë dhe ku do të ishte potencialisht i aksesueshëm nga ndonjë person i një shërbimi të huaj inteligjent, do të alarmonte zyrtarët qeveritarë.

Zhvillimi i fundit gjithashtu rrit më tej tensionet e një beteje ligjore në përshkallëzim pasi Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland të enjten, në një veprim të pazakontë, i kërkoi një gjykate të zhbllokonte urdhrin e kontrollit dhe inventarin e dokumenteve që janë marrë nga Shtëpia e Trump.

Në betejën e intensifikuar ligjore mbi kontrollin e kryer nga FBI-ja, Trump ka kohë deri të premten për të sinjalizuar zyrtarisht nëse do të kundërshtojë kërkesën e Prokurorit Garland.

CNN thekson se kontrolli i FBI-së nuk ishte një bastisje; ai ishte i autorizuar ligjërisht nga një gjyqtar i cili do të duhej të kishte gjetur shkakun e mundshëm që një krim ishte kryer për ta dhënë miratimin e tij.

Përmes një postimi në Truth Social, ish-presidenti Trump shkruan se jo vetëm që nuk do ta kundërshtojë publikimin e dokumenteve, por do ta mbështesë drejtësinë që urdhri të bëhet publik menjëherë. Trump vijon të thotë se bastisjet e Byrosë Federale të Hetimeve në pronën e tij në Mar-a Lago ishin “të pajustifikueshme dhe të panevojshme”, raporton abcnews.al.

“Unë jo vetëm që nuk e kundërshtoj publikimin e dokumenteve. Unë do të bëj edhe një hap më tej duke i inkurajuar që të publikojnë menjëherë këto dokumente. Publikoni dokumentet menjëherë”, shkruan Trump.

Departamenti i Drejtësisë bëri me dije një ditë më parë se ka bërë kërkesë për publikimin e dokumenteve, që zakonisht mbeten konfidenciale kur një hetim është në zhvillim e sipër. Por, sipas departamentit, publiku duhet të dijë pse FBI-ja bastisi shtëpinë e ish-presidentit Trump.

FBI bastisi shtëpinë e Trump ditën e hënë.  Trump dhe republikanë të tjerë kanë kritikuar këtë vendim të FBI-së dhe kanë thënë se është i nxitur politikisht.

/abcnews.al