Faza publike e luftës brenda llojit

schedule10:53 - 13 Maj, 2022

schedule 10:53 - 13 Maj, 2022

Nga Edi Oga

Ngjarjet e ditëve të fundit në arenën politike, na shtyjnë të mendojmë se tashmë jemi futur në një “fazë publike të luftës brenda llojit”. Në fazën kur politikanët i nxjerrin njëri-tjetrit të palarat në publik.

Sidomos ata që kanë investuar në politikë në kohë opozite dhe nuk kanë bërë plaçkë. Ata janë xhelozë për ata “të tjerët”, ata që dikur të së njejtës parti, kanë pasur pushtet dhe janë pasuruar.

Pasi nuk u ka funksionuar shantazhi në privat, fillojnë të japin mesazhe të koduara, pastaj indicje të vogla dhe në fund fakte të besueshme në mënyrë që njerëzit të arrijnë vetë në përfundime. Si në një quiz.

Kanë filluar me apartamente e vila. Mbase do të vazhdojnë me toka, biznese, llogari bankare brenda e jashtë shtetit. Kushedi më vonë do tregojnë dashnoret apo dashnorët, devijancat seksuale apo dreqi e di se çfarë.

Ndërkohë, ka shenja që lufta brenda llojit mund të shpërthejë edhe në anën e pushtetit. Sidomos nëse drejtësia rastësisht apo qëllimisht do të “ndalojë” ndonjë peshk të madh por jo komod, nga ata që mund të tregojnë “shokët”!

Deri tani, të gjitha këto janë thjesht ushqim për median. Për portalet dhe memet e rrjeteve sociale. Memet mund të jenë aq “të forta” sa edhe prokurorë e gjyqtarë të shkrihen së qeshuri duke i parë në celular, nga kolltuqet e rehatshme të zyrave të tyre me ajër të kondicionuar! /abcnews.al