Nga Xhensila Kodra
Gani Shehu, ish drejtori juridik i burgut të Peqinit, i vene ne pranga 3 dite me pare, pranoi këtë të shtunë në gjykatën e Posaçme se ka përpiluar shkresën në lidhje me kohën e qëndrimit të Viktor Ymerit në qelitë e këtij burgu. SPAK ka dyshime dhe e akuzon Shehun se në këtë shkresë ai ka paraqitur të dhëna të rreme përsa i përket kohës së qëndrimit të Ymerit në qeli.
Por si nisi kjo histori dhe për çfarë shkrese bëhet fjalë?
ABC mëson se gjithçka ka nisur pas dëshmisë së Luftar Reçit, i cili ka deklaruar detaje për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut në vitin 2005. Këto dhëna, Reçi, i cili më pas mori edhe statusin e dëshmitarit të drejtësisë, pohonte se i kishte mësuar nga Viktor Ymeri, me të cilin kishte qëndruar në një qeli në burgun e Peqinit.
Por, për të hedhur poshtë pretendimit e Luftar Reçit, avokatja e Viktor Ymerit, në mars të këtij viti i është drejtuar burgut me një shkresë ku kërkonte të informohej lidhur me periudhën e qëndrimit të klientit të saj në burgun e Peqinit.
Në shkresën e përpiluar nga ish juristi Gani Shehu thuhet se Viktor Ymeri ka qëndruar në këtë institucion të vuajtjes së dënimit vetëm dy ditë, madje në sektorë të ndarë me Luftar Reçin. Por, nga hetimet e SPAK ka rezultuar që Ymeri ka qëndruar më gjatë në këtë burg, më shumë se një vit, madje edhe në të njëjtën qeli me Luftar Reçin.
Nisur nga kjo, SPAK e akuzon Gani Shehun për veprën penale të falsifikimit të dokumentave. Por në seancën e kësaj të shtune në Gjykatën e Posaçme ai ka deklaruar se informacionin për kohën e qëndrimit të Ymerit në qelitë e këtij burgu të sigurisë së lartë e ka marrë përmes komunikimeve me zyrtarët e tjerë të burgut dhe shefave të policisë, në mënyrë verbale. Sipas Shehut, shkresa është firmosur nga drejtori i burgut, i cili kishte detyrim të kontrollonte dhe verifikonte detajet e përpiluara dhe më pas ta vuloste. Më tej, Gani Shehu ka pretenduar se nuk ka bërë falsifikim dokumentash. Por pavarësisht pretendimit të tij, Gjykata e Posaçme i caktoi atij masën e sigurisë “arrest në burg”.
Prokuroria ka dyshime se në këtë skemë mund të jenë te përfshirë edhe persona të tjerë. Kamerat e sigurisë në burgun e Peqinit kanë zbuluar se gjatë kohës që po përpilohej kjo shkresë, përveç personelit, në zyrën e sektorit juridik ishte futur edhe djali i drejtorit të burgut. Prokuroria po verifikon nëse kjo gjë ka qenë e rastësishme apo ka lidhje me këtë dosje.
Gjatë fazës së hetimeve, SPAK ka marrë në pyetje edhe drejtorin e burgut të Peqinit, Artan Tabaku. Ai ka deklaruar se e ka firmosur shkresën pa pasur dijeni mbi shkeljet e shkruara aty. Shkeljet e Shehut, ai shprehej se i kishte kuptuar kur hetues të SPAK kishin shkuar në burgun e Peqinit dhe në ato momente nisi menjëherë procedurën e pezullimit të tij nga detyra.
Ndërkohë, mësohet se në gusht të këtij viti, Gani Shehu është dhunuar barbarisht nga persona ende të paidentifikuar dhe për një kohë të gjatë ka qëndruar në Spitalin e Traumës. Dhuna ndaj tij është objekt hetimi i SPAK, për të zbuluar nëse ajo ka qenë kërcënim ndaj Shehut.
Viktor Ymeri është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës. Ai u lirua nga burgu në 2019, por u arrestuar dhjetorin e kaluar, pasi SPAK rihapi hetimet për dy ngjarje të rëndë në 2005-ën ku mbetën të vrarë Vajdin Lame dhe Klodian Saliu, pas dëshmisë së Luftar Reçit. /abcnews.al