Fatkeqësia bërthamore në Fukushima/ Japonia do të shkarkojë mbi 1 milion ton ujë radioaktiv në det brenda 48 orëve

schedule09:02 - 22 Gusht, 2023

schedule 09:02 - 22 Gusht, 2023

Japonia do të nisë të enjten shkarkimin e ujit radioaktiv nga centrali bërthamor Fukushima pavarësisht kundërshtimit nga fqinjët e saj. Vendimi vjen disa javë pasi mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së miratoi planin.

Rreth 1.34 milion ton ujë mjaftueshëm për të mbushur 500 pishina me madhësi olimpike janë grumbulluar që nga cunami i vitit 2011 që shkatërroi uzinën.

Autoritetet do të kërkojnë që operatori i uzinës të “përgatitet menjëherë” që puna të fillojë më 24 gusht nëse kushtet e motit dhe detit janë të përshtatshme, tha kryeministri japonez Fumio Kishida pas një takimi të kabinetit të martën.

Qeveria ka thënë se shkarkimi i ujit është një hap i domosdoshëm në procesin e gjatë dhe të kushtueshëm të çmontimit të uzinës, i cili ndodhet në bregun lindor të vendit, rreth 220 km (137 milje) në veri-lindje të kryeqytetit Tokio.

Japonia ka mbledhur dhe ruajtur ujin e ndotur në depozita për më shumë se një dekadë. Tsunami i vitit 2011, i shkaktuar nga një tërmet me magnitudë 9.0, konsiderohet si fatkeqësia më e keqe bërthamore në botë që nga Çernobili.

Plani për shkarkimin e ujit nga uzina ka shkaktuar alarm në të gjithë Azinë dhe Paqësorin që kur u miratua nga qeveria japoneze dy vjet më parë.

Ai ishte nënshkruar nga mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së , i cili arriti në përfundimin se ndikimi mbi njerëzit dhe mjedisin do të ishte i papërfillshëm, por peshkatarët në rajon ende kanë frikë se shkarkimi i ujit do të dëmtojë gjallesat dhe do të ndikojë në jetesën e tyre.

Tepco ka filtruar ujin për të hequr më shumë se 60 substanca radioaktive, por uji nuk do të jetë plotësisht pa rrezatim pasi do të përmbajë ende tritium dhe karbon-14, përkatësisht izotope radioaktive të hidrogjenit dhe karbonit që nuk mund të hiqen lehtësisht nga uji.

Por ekspertët besojnë se ato nuk janë rrezik nëse nuk konsumohen në sasi të mëdha, sepse lëshojnë nivele shumë të ulëta rrezatimi. Plani ka shkaktuar bujë në vendet fqinje, ku Kina është kundërshtari më i zëshëm. Ajo akuzoi Japoninë se e trajton oqeanin si “kanalizimet e saj private”.

Si Koreja e Jugut ashtu edhe Kina kanë ndaluar importet e peshkut nga rrethinat e Fukushimës.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!