Fate të kundërta për “kushërinjtë”/ Milan “bie” në Parma, Inter siguron fitoren e parë të sezonit

schedule15:16 - 25 Gusht, 2024

schedule 15:16 - 25 Gusht, 2024

Dështimet në javën e parë i patën të përbashkëta, gjithsesi, reagimet e Inter dhe Milan pas barazimeve në nisje të Serisë A ishin krejt të ndryshme, me “Zikaltërit”, që fituan me autoritet, ndërsa “Kuqezinjtë” u mundën.

Kampionët e Italisë nuk e patën problem që në “Giuseppe Meazze” ndaj Lecce nuk patën sulmuesin kryesor dhe kapitenin Lautaro Martinez, të dëmtuar.

Në fushë u paraqit shumë mirë dyshja sulmuese Thuram-Taremi, ndonëse golat i shënuan të tjerë, teksa fillimisht Matteo Darmian realizoi në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit Hakan Calhanoglu dyfishoi shifrat me 11-metërsh.

Në Serie A, ai nuk ka humbur asnjë nga 17 penalltitë që ka gjuajtur, gjithsesi, të besuarit e trajnerit Inzagi nuk e patën edhe aq të lehtë.

Në fushë titullar për “Puljezët” e Lecce ishte Ylber Ramadani, ndërsa dy talentet e mesfushës “kuqezi”, Kristjan Asllani e Medon Berisha u aktivizuan respektivisht në minutat 82’ e 85’, të sfidës.

“La Gazeta delo Sport” nuk ka dyshime, “Ja ku është sërish Interi! Festë në “San Siro” me Darmian e Calha! Fonseca, Milan nuk duket!”

“Il Corriere dello Sport” ka si lajm kryesor dy blerje të Juves, por komenton, “Muzikë e Inter, Darmian e Calha, 2-0 ndaj Lecce! Milani prek fundin!”

Skuadra e trajnerit Fonseca vërtet që nuk po arrin të bindë, dhe humbja në fushën e Parma ishte me shifrat 2-1, edhe pse favoritët mbajtën më shumë topin, 61 për qind, dhe patën më shumë gjuajtje, 17 ndaj 9, sërish ata u zunë në befasi nga kundërsulmi.

Denis Man shënoi që në minutën e dytë e më pas, Leao krijoi golin e barazimit realizuar nga Pulisic, ndonëse më pas u acarua me tifozë të ekipit të tij. Sidoqoftë, “Djajtë” nuk mundën të ruanin as barazimi, pasi 13 minuta para fundit, Cancellieri i dha fitoren vendasve, duke krijuar një “minikrizë” për trajnerin Fonseca dhe lojtarët e tij. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!