Fatbardha, nëna e 5 fëmijëve përveshi mëngët për 33 vite në krom: Thyenim blloqet, me dridhet laku i këmbës kur e kujtoj

schedule20:45 - 2 Tetor, 2021

schedule 20:45 - 2 Tetor, 2021

Emisioni Vetting- Bulqiza si ëndërr e keqe

Me ankthin për jetën e bashkëshortëve në miniera, dhe shqetësimin për rritjen e fëmijëve, shumë prej grave të Bulqizës, kanë përveshur mëngët për të punuar edhe ato në këtë sektor të vështirë.  Ndër to është edhe Fatbardhe Loshi, nëna e 5 fëmijëve,  e cila për 33 vite me radhë ka seleksionuar kromin, duke përshkruar kilometra në këmbë, në mungesë të një autobusi që do t’u mundësonte transportin. Puna e seleksionomit të kromit nga gratë, është padyshim një nga zantet më të rënda, që siç rrëfen Fatbardha, ka lënë pasoja fizike te ajo dhe mjaft kolege të saj, deri në gjymtim e paralizë. Vetëm për vitin 2020, 3 gra u aksidentuan gjatë punës së seleksionimit të kromit, ndërsa me duar e këmbë në ujë u duhet të ndanin mineralin nga blloqet e rënda të gurit. Disa prej grave, siç tregojnë minatorët, jo rrallëherë kanë marrë me vete edhe fëmijët, për të grumbulluar më shumë krom. Pasi me 25 lekë që shitet kilogrami, mund të bëjnë shumë pak në betejën e përditshme ndaj mjerimit.

“Puna jonë e përditshme ishte shumë e vështirë me thënë të drejtën. Kam punu me tre turne… Jo vetëm unë, por edhe shoqet e mia. Është një punë jashtëzakonisht e vështirë… Edhe sot që kam dalë në pension, kur e pëmend sidomos turnin e tretë, me thënë të drejtën me dridhet laku i këmbës, se është një punë jashtëzakonisht e  vështirë. Gjatë kohës së punës kishim edhe pastrim… Edhe gurët e blloqet që binin në tokë ishim të detyruara t’i thyenim vetë, jo të vinte dikush tjetër t’i thyente, por ishim të detyruara t’i thyenim vetë. Rufie Nurçja ka këput dorën në minierë… ajo sot nuk jeton më në Bulqizë jeton në Tiranë…”, tregon ajo për “Vetting”.

Në këto kushte të vështira, e veçanërisht të nxitura nga tragjeditë në galeri, gratë e minierave të Bulqizës janë përpjekur të rebelohen, por protestat e tyre për përmirësim të kushteve janë “mbytur” që në lindje.

“Kur isha në punë me thënë të drejtën jemi mundu me ba edhe greva, por ne na e kanë ndërpre grevën.. na e ndërprisnin, nuk na linin… Na thoshin se ju heqim nga puna… dhe ne frikësoheshim, stepeshim. Sepse s’kishim mundësi tjetër, s’kishim mbështetje…”

Fatbardhën, tanimë në moshën 62 vjeçare e shqetëson Bulqiza që po shuhet dita-ditës. Ekonomia në rënie, tragjeditë që pasojnë njëra tjetrën, siç tregon, e bëjnë këtë qytet të pashpresë e pa të ardhme për fëmijët e saj.

“Kur vriten në minierë më duket sikur i kam fëmijët e mi… se unë e di si është miniera, e di si punohet atje, dhe e di si merret leku… Po kjo është jeta…”, thotë ajo.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!