Familjarët tërheqin trupin e Lefter Zhidrut nga morgu, do të varroset në Sarandë

schedule15:36 - 25 Shtator, 2020

schedule 15:36 - 25 Shtator, 2020

Një ditë pas ekzekutimit familjarët kanë tërhequr trupin e Lefter Zhidrut nga morgu i spitalit të Elbasanit për të vijuar me ritet mortore dhe përcjelljen në banesën e fundit të njeriut që të enjten terrorizoi qytetin duke bllokuar një lagje për 6 orë, ndërsa plagosi dy të rinj dhe tentoi që të vriste efektivët. Ceremonia mortore do të kryhet në Sarandë.

Familjarët e Zhidrut nga Saranda ku jetojnë pasi mësuan lajmin, udhëtuan për në Elbasan, ndërsa Abc News transmetoi heshtjen që kishte pllakosur në lagje një ditë pas skenës së luftës nga shkëmbimi i zjarrit mes policisë dhe 71-vjeçarit.

Në intervistë për Abc News, Thanas Zhidru u shpreh se vëllain e ka njohur si njeri të qetë dhe nuk ka pasur të bëjë asnjëherë me armët. Thanasi rrëfeu se Lefteri ishte martuar tre herë dhe kishte 5 fëmijë.

Gruaja e parë, me të cilën kishte patur një djalë i kishte ndërruar jetë nga një sëmundje. Ishte martuar për herë të dytë duke patur tre djem dhe së fundmi, në martesën e tretë kishte patur një vajzë 14 vjeçare.

Mesditën e djeshme gjithçka nisi nga dhuna që i moshuari ushtroi ndaj gruas dhe që më pas tentoi ta vriste, por bashkëshortja doli me shpejtësi nga shtëpia duke njoftuar policinë. Në momentin që erdhën efektivët, Zhidru reagoi duke iu përgjigjur me armë thirrjes së tyre për t’u dorëzuar.

Negociatat për 5 orë dështuan dhe në fund RENEA e ekzekutoi, ndërsa nga kontrolli në banesë u zbulua se Zhidru kishte arsenal të rëndë armësh dhe municionesh./ db/Abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!