A ra Emanuela Orlandi viktimë e dajës së saj? Dyzet vjet pas zhdukjes së adoleshentes që jetonte me familjen në Vatikan, një rast ky që është një nga misteret më të njohura të policisë në Itali, sipas hetimeve rezulton se ishte një “tragjedi familjare”. Megjithatë, teoria hidhet poshtë nga të afërmit e saj të cilët thonë se është një përpjekje për shpërqendrim.
Emanuela 15-vjeçare, babai i së cilës punonte në Vatikan, u pa për herë të fundit në qendër të Romës më 22 qershor 1983, kur u largua nga shkolla ku kishte shkuar për mësime muzike. Që atëherë, teori të panumërta janë paraqitur për atë që i ndodhi asaj. Disa madje përfshijnë shërbimet sekrete italiane, mafien, zyrtarët e lartë të Vatikanit apo edhe masonët.
Sipas informacioneve të transmetuara nga televizioni privat La7, hetuesit po shqyrtojnë një tjetër mundësi, atë të një tragjedie familjare.
Prokurori i Vatikanit i dërgoi së fundmi homologut të tij në Romë letrat e shkëmbyera mes një zyrtari të lartë të Vatikanit dhe një prifti në shtator 1983, tre muaj pasi vajza u zhduk. Sekretari i atëhershëm i Shtetit i Vatikanit, Agostino Casaroli, i shkroi një prifti, udhëheqësi shpirtëror i familjes Orlanti. Qëllimi i tij ishte të konfirmonte se Natalina, motra e madhe e vajzës së zhdukur, ishte abuzuar seksualisht nga daja i tyre, Mario Menegucci, i cili tani ka vdekur.
Prifti pranon se e reja ia kishte zbuluar faktet. Atë e kishin ndaluar të fliste nën kërcënimin e humbjes së punës në Parlament, ku daja i saj, i cili drejtonte mensën, e kishte punësuar disa muaj më parë.
Këto fakte ishin të njohura për prokurorët në atë kohë, pasi sipas kanalit i kishte konfirmuar vetë Natalina Orlandi.
Por sot Natalina, vëllai i saj Pietro dhe avokatja e tyre, Laura Sgro, nën presionin e së cilës Vatikani dhe prokuroria në Romë fillimisht rihapën çështjen, e hedhin poshtë këtë teori.
“Nuk ka pasur përdhunim. Ngjarjet kanë ndodhur në vitin 1978. Daja im bëri disa propozime, por gjërat u ndalën me kaq, pasi ajo iu shmang”, siguroi Natalina në një konferencë për shtyp që dha.
Pietro Orlanti kujtoi se alibia e dajës së tij ishte verifikuar atëherë, ndërsa ai ishte me pushime larg Romës.
“Vatikani po përpiqet të shmangë çdo përgjegjësi,” shtoi Pietro Orlanti, duke kërkuar që të ngrihet një komision parlamentar për të shqyrtuar rastin. “Pse Vatikani nuk dëshiron kontroll parlamentar?”, shtoi ai.
“Nuk është zbulimi i shekullit, po flasim për gjëra që i njihnin të gjithë”, theksoi Sgro.
Sipas teorisë më popullore, 15-vjeçarja u rrëmbye nga mafiozët që donin të bënin presion mbi Vatikanin për të mbledhur një kredi. Të tjerë thonë se rrëmbimi kishte për qëllim të bindte autoritetet që të lironin Mehmet Ali Agca, njeriun që tentoi të vriste Papa Gjon Palin II në 1981.
Rasti frymëzoi një seri dokumentarësh të Netflix, Vatican Girl. Në këtë serial, një mikeshë e Emanuelës thotë se 15-vjeçarja i kishte treguar asaj, një javë para se të zhdukej, se ishte ngacmuar seksualisht në kopshtet e Vatikanit nga një bashkëpunëtor i Papa Gjon Palit II.