Me finalizimin e një operacioni policor të koduar “Faturisti”, janë ekzekutuar masat e sigurisë për tre persona në Lezhë. Mësohet se për rastin në fjalë, është bërë një hetim gjashtë mujor nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Si rezultat i këtij operacioni u bë ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg” për E. A., 33 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë ish-inspektor pranë një kompanie private në Shkodër, si dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre ose funksioni publik”, për V. D., 62 vjeç dhe K. Z., 61 vjeç, banues në Lezhë, më detyrë ish-elektricistë pranë OSHEE Lezhë.
Sipas policisë, 33-vjeçari E. A., 62-vjeçari V. D. dhe 61-vjeçari K. Z., kanë falsifikuar formularët e raportit të verifikimeve të matësve elektrik në subjekte të ndryshme private ku kanë kryer inspektime, duke mos evidentuar vjedhjen e energjisë elektrike nga këto subjekte. /abcnews.al/