TIRANË- Dy persona banues në Kashar janë arrestuar pasi akuzohen se kanë falsifikuar dokumente për të përvetësuar prona.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente noteriale të një notereje publike në qytetin e Tiranës dhe më pas i kanë paraqitur ato në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me qëllim përfitimin si dhurim të një sipërfaqeje të konsiderueshme toke, në fshatin Kashar.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni i koduar “Dhurimi”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë. Vihen në pranga 2 shtetas, për falsifikim të dokumenteve, me qëllim përfitimin e një sipërfaqeje toke.
Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik dhe Financiar kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Dhurimi”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetasve: R. V., 54 vjeç dhe dhe L. S., 42 vjeç, të dy banues në Kashar, Tiranë. Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente noteriale të një notereje publike në qytetin e Tiranës dhe më pas i kanë paraqitur ato në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me qëllim përfitimin si dhurim të një sipërfaqeje të konsiderueshme toke, në fshatin Kashar.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik dhe Financiar proceduan penalisht shtetasin A. B., 56 vjeç, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale kontratat noteriale të dyshuara të falsifikuara, të cilat ishin dorëzuar në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. /abcnews.al