Falsifikime dhe deklarime të rreme, SPAK kërkon 2 vite shërbim prove për Anëtaren e KPK, Etleda Çiftja

schedule12:21 - 12 Shtator, 2022

schedule 12:21 - 12 Shtator, 2022

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka kërkuar 1 vit burg për anëtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, Etleda Çiftija. Ky dënim do të konvertohet në shërbim prove me 2 vite dhe Çiftija nuk do të bëjë asnjë ditë burg, nëse kërkesa e SPAK pranohet nga GJKKO.

Ndaj Etleda Çiftjas rëndojnë akuzat “deklarim i rremë” dhe “falsifikim” në formë përdorimi. Deklarimi i rremë është kryer nga Çiftja në komisionet e përzgjedhjes së saj për një pozicion në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Sipas SPAK, Çiftja ka blerë fiktivisht 2 sipërfaqe toke në Kavajë, që disponoheshin nga familja e saj dhe më pas dorëzoi në një bankë të nivelit të dytë, dokumentet hipotekore ku përfitoi kredinë për blerjen e një apartamenti me vlerë 42 mijë dollarë. SPAK shprehet se Çiftja ka blerë fiktivisht sipërfaqen e tokës tek familjarët e saj me qëllim që të mashtronte bankën për të përfituar kredinë.

Etleda Çiftja është anëtarja e tretë e institucioneve të vetingut që procedohet penalisht dhe merret e pandehur nga SPAK. Më parë janë proceduar anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Ardian Hajdari dhe Luan Daci, ky i fundit i shkarkuar pasi u dënua me vendim të formës së prerë për falsifikim të formularit të aplikimit që mundësoi zgjedhjen e tij si anëtar i Kolegjit.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!