Fshihen 410 milionë euro borxhe të vjetra të bizneseve .Administrata Tatimore thotë se vijon proçesi i fshirjes automatike të detyrimeve tatimore në zbatim të ligjit të faljes dhe deri në 31 korrik 2026 nga ligji i faljes kanë përfituar deri më tani 204,413 tatimpagues, ndërsa proçesi vijon për të gjithë përfituesit .
Ligji i faljes u zbatua me disa fasha ku borxhet më të vjetra se 10 vite u fshinë automatikisht. Ndërkohë për detyrimet tatimore që i përkasin periudhës 2015–2019, subjekteve u dha mundësia e pagesës së 50% të detyrimit kryesor dhe nga ana tjetër mund tw përfitonin fshirjen 50% të borxhit të mbetur, si dhe faljen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave.
Aktualisht për të përfituar nga ligji i faljes bizneset duhet të kryejnë 75% pagesë të principalit brenda datës 31 dhjetor 2026, për të përfituar faljen e 25% të detyrimeve të mbetura dhe të gjitha gjobave e kamatëvonesave.
Skema e faljes fiskale është një nga nismat më të mëdha të ndërmarra vitet e fundit për pastrimin e stokut të detyrimeve të vjetra tatimore dhe për lehtësimin e barrës financiare të bizneseve dhe individëve.
Ligji përjashton nga fshirja e borxheve subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore si dhe bizneset që janë në proces hetimi ose gjykimi për vepra të tilla./abcnews.al


