Në Pukë, aty ku ajri është i ftohtë dhe i pastër, dhe ku natyra duket se ruan ende ritmin e vet të qetë, një histori pune dhe këmbënguljeje ka marrë formë ndër vite. Mes pyjeve dhe maleve, frutat e egra rriten pa ndërhyrje, duke mbartur shijen dhe vlerat e një zone që pak është prekur nga industrializimi.
Mark Gjonaj është një prej atyre njerëzve që zgjodhën të mos largohen nga vendlindja. Pas viteve ’90, në një kohë kur shumëkush e shihte ikjen si të vetmen zgjidhje, ai nisi një punishte të vogël, duke përpunuar frutat që i ofronte vetë natyra e Pukës.
Me kalimin e viteve, puna e nisur thjesht u kthye në një angazhim familjar. Hapi pas hapi punishja u zgjerua dhe sot është shndërruar në një fabrikë përpunimi që jo vetëm ruan thelbin e prodhimit vendas, por i përgjigjet standardeve bashkëkohore.
Lënda e parë vjen nga vetë zona, ndërsa frutat mblidhen nga fermerët e Pukës dhe fshatrave përreth.
Në fabrikë përpunohen lëngje natyrale nga thana, shega, boronica, si edhe çajra mali, produkte që lidhen drejtpërdrejt me klimën dhe terrenin e zonës.
Përpunimi i bimëve mjekësore është një tjetër pjesë e kësaj historie. Gjethet e dafinës, mjedra dhe trëndafili i egër mblidhen nga malet dhe kthehen në çajra.
Fabrika është bërë pjesë e jetës së përditshme të qytetit. Në lokalet e Pukës, lëngu i thanës apo i shegës është kthyer në një produkt të zakonshëm, por me një histori pas vetes.
Sot, prodhimet e kësaj fabrike kanë kaluar kufijtë e zonës dhe të vendit, duke u gjetur edhe në tregje ndërkombëtare.
Një histori e thjeshtë pune, e ndërtuar mbi natyrën, përkushtimin dhe besimin se Puka ka ende shumë për të dhënë./abcnews.al


