Evropa s’mund të qëndrojë neutrale në përballjen SHBA-Kinë

schedule14:44 - 17 Shkurt, 2021

schedule 14:44 - 17 Shkurt, 2021

Nga Michael Schuman, Politico.eu

Evropa mund të mos dëshirojë të zgjedhë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Por ju pëlqen apo jo, udhëheqësit e saj do të duhet përfundimisht që të pozicionohen, dhe zgjedhja do të jetë e zymtë:Qëndroni pranë SHBA-së, ose shndërrohuni në një aktor dytësor në skenën evropiane.

Dhe kjo nuk është ajo që duan të dëgjojnë evropianët. Disa udhëheqës politikë dhe të biznesit në Evropë, vazhdojnë që të këmbëngulin se qasja konfrontuese e Uashingtonit është përgjigjja e gabuar ndaj rritjes së Kinës,ndaj ata preferojnë që të qëndrojnë jashtë kësaj përplasje.

“Situata kur mund të bashkohemi të gjithë kundër Kinës, do të ishte skenari i konfliktualitetit më të lartë të mundshëm”-deklaroi në fillim të këtij muaji presidenti francez Emmanuel Macron, duke shtuar se ai besonte se një qasje e tillë do të ishte “joproduktive”.

Sigurisht, evropianët kanë arsye të forta për të qëndruar në distancë nga kjo përballje.

Ata kanë përfitime të paçmueshme nga marrëdhëniet miqësore me të dyja fuqitë kryesore të botës:Marrëveshjet e sigurisë me SHBA-në sigurojnë stabilitet dhe mbrojtje ndaj kërcënimeve të vazhdueshme, si ato që vijnë nga Rusia e Vladimir Putin, ndërsa ekspansioni ekonomik i Kinës u jep kompanive evropiane një mori mundësish për rritje ekonomike, që nuk mund t’i gjejnë në union.

Evropa mund të jetë në gjendje që të qëndrojë për një farë kohe në këtë pozicion ekuilibrues. Por ka të ngjarë që ai të bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshëm. Edhe tani që ish-presidentin luftarak Donald Trump u dërgua në shtëpi dhe merret kryesisht me lojën e golfit, qëndrimet në të dyja anët e Paqësorit duket se po ashpërsohen.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Bajden, sinjalizoi që në ditët e para se synon të ruajë presionin aktual mbi Pekinin, duke theksuar se trajtimi i tmerrshëm që qeveria kineze ka ndaj ujgurëve në Xinjiang arrin deri në “gjenocid”, dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë “të përgatitura të veprojnë, si dhe t’i imponojë kosto “Kinës,edhe për shtypjen që i ka bërë lëvizjes pro-demokracisë në Hong Kong,por edhe kërcënimit të shtuar ndaj Tajvanit.

Ndërkohë, në një fjalim luftarak në fillim të këtij muaji, Yang Jiechi, anëtar i Byrosë së plotfuqishme të Partisë Komuniste Kineze (PKK, tha se “gjykimi i gabuar strategjik” në Uashington ka shkaktuar tensione midis dy vendeve, ndërsa kërcënoi se çështjet kryesore – përfshirë Tajvanin, Hong Kongun dhe politikën ndaj ujgurëve-“përbëjnë një vijë të kuqe, e cila nuk duhet që të kapërcehet”.

Me riafrimin që nuk duket gjëkundi, si Kina, ashtu edhe SHBA-ja janë të gatshme të dëshirojnë një Evropë gjithnjë e më agresive. Biden ka deklaruar hapur se ai synon të ripërtërijë aleancat tradicionale të Uashingtonit për të dalë kundër Kinës.

Presidenti kinez Xi Jinping, mund të dalë kundër kësaj qasje “ne përkundrejt atyre”, duke e quajtur atë një “mentalitet të Luftës së Ftohtë”, por ai është po aq fajtor për këtë gjë: Vendimi i qeverisë së tij në dhjetor 2020, për të nënshkruan një marrëveshje investimesh me Bashkimin Evropian, ishte një përpjekje e qartë për t’i afruar evropianët më pranë Pekinit, vetëm disa ditë para se Joe Biden të merrte zyrtarisht detyrën si president.

Përballë kësaj situatë, zgjedhja mes SHBA-së apo Kinës, duket të jetë një vendim i pamundur:pra midis angazhimit historik të evropianëve ndaj SHBA-së dhe vlerave demokratike që e kanë çimentuar këtë aleancë, dhe joshjes së pasurive të reja nga një “motor ekonomik” në rritje edhe pse autoritar, që mund të sigurojnë të ardhmen e tyre ekonomike.

Pra është një zgjedhje midis parimeve dhe fitimeve. Por ky është një dallim i rremë. Zgjedhja është mes interesave afatgjata dhe atyre afatshkurtra. Realiteti është se Kina synon të krijojë një botë që nuk është e sigurt për Evropën, si në aspektin strategjik, ekonomik apo ideologjik.

Xi po përpiqet në mënyrë aktive që të minojë themelet e demokracive në rendin global. Në fjalimin e tij të janarit të këtij viti në Forumin Ekonomik Botëror, ai deklaroi se e keqja e vërtetë në shoqërinë e sotme globale ishte promovimi i të drejtave themelore të njeriut, jo shtypja brutale e tyre.

Nëse udhëheqësit evropianë mendojnë se mund të vazhdojnë të predikojnë vlera demokratike, dhe të kryejnë normalisht biznes me Kinën, ata nuk po i lexojnë gazetat. Sa më shumë fuqi qëtë mbledhë Kina, aq më pak tolerante do të bëhet ajo me çdo qeveri që nuk do të heqë vijën e saj të kuqe.

“Ne i gostitim miqtë tanë me një verë të shkëlqyer”- tha ambasadori i Kinës në Suedi gjatë një mosmarrëveshje diplomatike të kohëve fundit, “por për armiqtë tanë përdorim pushkë”.Ndërkohë, Kina përfaqëson një kërcënim afatgjatë ekonomik mbi Evropën, jo thjesht pasi është një konkurrente e fortë dhe në rritje të shpejtë në një ekonomi globale të tregut, por sepse politikat e Pekinit janë të dizenjuara për ta përdorur dhe abuzuar me ekonominë e hapur botërore, me synimin përfundimtar dominimin e saj.

Udhëheqja e Pekinit, nuk e fsheh qëllimin e saj për t’i nxitur industritë e teknologjisë së lartë që të tejkalojnë rivalët e tyre perëndimorë, të nxitur nga miliardat e dollarëve ndihmë shtetërore. Sipas një vlerësimi, qeveria kineze ka investuara më shumë se 100 miliardë dollarë në sektorin e saj të automjeteve elektrike, në formën e subvencioneve për blerësit, mbështetjen për kërkimin dhe zhvillimin, si dhe ndihma të tjera.

49 miliardë dollarë të tjerë, janë premtuar për të krijuar një konkurrent kinez të kompanisë amerikane “Airbus”. Dhe partneritetet me kompanitë evropiane janë jetike për suksesin e axhendës së Kinës. Një raport i tetorit 2020 i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive,thotë se kinezët po synojnë sektorë kryesorë të ekonomisë gjermane, përfshirë pajisjet industriale dhe elektronike, me synimin vjedhjen e sekreteve të tyre.

Raporti thekson ndër të tjera se marrëdhëniet ekonomike të Kinës me Gjermaninë, janë “një model për strategjinë e PKK për dominimin e ekonomisë në shekullin XXI, dhe për të vendosur rregullat për botën moderne”. Pra duke vazhduar që të angazhohet me Kinën, Gjermania po fiton sot, por nesër po i hap rrugën shkatërrimit të saj.

Tek e fundit, Kina nuk është një partner real për Evropën. Sa më gjatë evropianët të mos e kuptojnë këtë, aq më i dobët do të bëhet pozicioni i tyre. Kina do të vazhdojë të shfrytëzojë përçarjet midis demokracive, për të çuar përpara interesat e saj. Politikanët evropianë do të tensionojnë marrëdhëniet me SHBA-në, për të vijuar të marrin në mënyrë cinike përfitime ekonomike nga Kina, ndërsa Uashingtoni ndërmerr të gjitha aktet e kundërvënies.

Dhe kur Evropa ta kuptojë më në fund se ka nevojë për ndihmën e Amerikës, mund të zbulojë se Uashingtoni ka gjetur aleatë të tjerë më të besueshëm. Në fund të fundit, zgjedhja midis SHBA-së dhe Kinës, duhet të përcaktohet nga ajo që evropianët duan që të jetë roli i tyre në botë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Shënim: Michael Schuman, është autor i librit “Superfuqia e ndërprerë:Historia kineze e botës”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!