Evis Kushi tregon alternativat për mësimin online: Të gjithë kemi pjesën tonë në këtë mision

schedule18:36 - 14 Shkurt, 2021

schedule 18:36 - 14 Shkurt, 2021

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka dhënë informacion lidhur me mënyrën e zhvillimit të mësimit online që do të hyjë në fuqi nga dita e nesërme. Ministrja thekson se mësuesit dhe nxënësit kanë tre alternative në ndihmë të procesit mësimor:  Platforma online “Akademi.al”; Kanali i dedikuar “RTSH Shkolla” dhe Kanali i MASR në “Youtube”.

Kushi I bën thirrje prindërve të inkurajojnë dhe mbështesin sa më shumë fëmijët që të jenë të motivuar dhe aktivë gjatë mësimit online.

“Së pari, shpresoj që ju dhe familjet tuaja të vazhdoni të jeni të fortë e të shëndetshëm në këtë situatë aspak të lehtë, kur lufta jonë e përbashkët kundër pandemisë COVID-19 vazhdon pa u ndalur. Dua t’ju them se frymëzohem çdo ditë nga guximi, sakrifica dhe optimizmi juaj në këtë luftë, dhe ju jam shumë mirënjohëse për mirëkuptimin dhe fleksibilitetin që keni treguar deri më tani së bashku me fëmijët tuaj.

Dje morëm një tjetër vendim të rëndësishëm për shkak të përkeqësimit të motit, temperaturave ekstremisht të ulëta, reshjeve të dëborës, ngricave dhe stuhive në shumë zona të vendit. Dua t’ju siguroj se të gjitha vendimet që marrim bazohen në prioritetin tonë absolut, i cili është pa dyshim shëndeti dhe siguria e fëmijëve tanë, për të cilët duam të shmangim cdo rrezik të mundshëm.

Me siguri jeni të shqetësuar se si do të vijojë procesi mësimor nga shtëpia gjatë javës së ardhshme. Dhe po ashtu, e di mirë që shumë familje nuk e kanë aksesin e duhur në teknologji dhe internet për të marrë pjesë plotësisht në mësimin “online”. Por ne tashmë e kemi një përvojë nga viti i kaluar dhe pavarësisht të gjithë vështirësive, i kemi instruktuar të gjithë mësuesit që të fillojnë menjëherë komunikimin me ju dhe fëmijët tuaj.

Bazuar në “Udhëzuesin për Fillimin e Vitit Shkollor 2020-2021”, nxënësit dhe mësuesit kanë tri platforma alternative në ndihmë të procesit mësimor:

-Platforma online “Akademi.al”;

-Kanali i dedikuar “RTSH Shkolla”;

-Kanali i MASR në “Youtube”.

Tek to, nxënësit mund të ndjekin të gjitha videot mësimore sipas një plani mësimor të unifikuar për të gjitha klasat në të gjitha shkollat e vendit. E ndërkohë, do t’ju lutesha edhe juve që t’i inkurajoni dhe mbështesni sa më shumë fëmijët tuaj që të jenë të motivuar dhe aktivë gjatë mësimit “online”.

Të gjithë po përballemi me sfida në këtë përvojë – ju, nxënësit, stafi ynë, por mbi të gjithë, mësuesit tanë. Ata janë në frontin e parë të luftës dhe shumë prej tyre punojnë me orë e orë të tëra për të organizuar punën dhe përgatitur materialet në ndihmë të nxënësve. Ata meritojnë gjithë respektin dhe mbështetjen tonë pa kufi.

E të mos harrojmë që të gjithë kemi një rol të rëndësishëm në këtë mision. Le të bëjmë secili pjesën tonë, me disiplinë, tolerancë dhe mirëkuptim për njëri-tjetrin. Në fund, dua t’ju falënderoj shumë përzemërsisht të gjithëve dhe shpreh angazhimin tonë të palëkundur në misionin e vështirë, por fisnik, atë të edukimit të fëmijëve tanë”, shkruan Evis Kushi./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!