Everton prezanton Brojën, “legjionari” flet për herë të parë si lojtar i “bluve”: Shpresoj të kthehem sa më shpejt

schedule20:36 - 5 Shtator, 2024

schedule 20:36 - 5 Shtator, 2024

Pak me vonesë, por shumë më mirë nga çfarë do të sillte skenari tjetër në karrierën e tij.

Armando Broja është prezantuar si lojtar i Everton, pasi siguroi një formulë huazimi nga Chelsea, vetëm në orët e fundit të merkatos së verës.

Se çfarë do të sjellë kjo lëvizje mbetet për t’u parë, por për momentin i rëndësishëm është vetëm fakti që u largua nga Blutë e Londrës, ku rrezikonte të qëndronte në tribunë, të paktën deri në janar.

Pikëpyetjet gjithsesi mbeten të shumta, por vetë sulmuesi sheh me shumë optimizëm këtë aventurë.

“Ndihem mrekullueshëm, jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Jam shumë i lumtur dhe mezi pres të filloj. Mendoj se Everton ka një ekip të fortë, një përzierje lojtarësh të rinj dhe me përvojë. Është një mjedis fantastik për mua të vij të luaj futboll, të luaj në Premier League me një klub si Everton. Ky është një klub me një histori të madhe, një top-klub. Është e mrekullueshme për mua që jam këtu”,- u shpreh Broja.

Gjithsesi, tifozët e Everton duhet të presin për të parë në aksion sulmuesin shqiptar, i cili vazhdon periudhën e rikuperimit për një dëmtim në tendinën e akilit, që e la edhe jashtë Kombëtares “kuqezi”.

“Po shkon mirë. Shpresoj se mund të kthehem sa më shpejt që të jetë e mundur. Mendoj se po shkoj në drejtimin e duhur.

Dua të sigurohem që të shërohem mirë dhe të jem aq i fortë sa të mundem, kështu që jam gati për tifozët dhe shokët e mi. Unë thjesht mezi pres të kthehem në fushë, të vesh fanellën e Everton dhe ta shijoj këtë eksperiencë”,- tha më tej “legjionari”.

Huazimi te Everton mund të jetë shansi i fundit i Brojës për të kthyer sërish në ngjitje kurbën në karrierën e tij, pas një viti për t’u harruar me Chelsea dhe Fulham.

Sulmuesi duhet gjithashtu të bindë klubin nga Liverpuli të blejë kartonin e tij për 30 milion paund sipas marrëveshjes, pasi nuk ka një klauzolë detyruese. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!