Evakuime pas shpërthimit të vullkanit në Indonezi

schedule14:37 - 4 Dhjetor, 2022

schedule 14:37 - 4 Dhjetor, 2022

Vullkani në Malin Semeru të Indonezisë ka shpërthyer, duke nxitur evakuimin e banorëve në ishullin kryesor të vendit, Java.

Autoritetet kanë ngritur nivelin e paralajmërimit nga vullkani në nivelin më të lartë, që do të thotë se aktiviteti vullkanik është përshkallëzuar.

Deri më tani nuk është raportuar për të lënduar, por pothuajse 2.000 persona janë evakuuar nga zona afër vullkanit.

Banorëve u është bërë thirrje që të qëndrojnë të paktën 8 kilometra larg vullkanit, pasi “valë të nxehta” të llavës po vazhdojnë të derdhen nga Semeru.

Ngritja në nivelin katër të rrezikut nënkupton se shtëpitë e banorëve janë në rrezik, tha një zëdhënës i Qendrës së Vullkanologjisë dhe Gjeologjisë së Indonezisë.

Për shkak të shiut dhe hirit vullkanik, nga fshatrat përreth janë evakuuar 1.969 persona, tha Agjencia Kombëtare për Fatkeqësi e Indonezisë. Kjo agjenci tha se të paktën gjashtë fshatra janë prekur.

Pas shpërthimit të vullkanit, Japonia lëshoi paralajmërim për cunami në ishujt e saj në jug.

Vullkani Semeru nisi shpërthimin në orën 02:46, sipas kohës lokale.

Indonezia gjendet në “Unazën e Zjarrit”, ku ndeshen dy pllaka tektonike dhe vendi shpesh përballet me tërmete dhe ka aktivitet të lartë vullkanik.

Semeru – i njohur edhe si Mali i Madh – është vullkani më i lartë në Java, pasi gjendet në 3.676 metra lartësi dhe është një prej vullkaneve më aktiv. Vitin e kaluar ky vullkan shpërtheu, duke lënë të vdekur të paktën 50 persona.