Europol “spastron” mafian shqiptare, 64 persona të arrestuar

schedule18:00 - 5 Prill, 2019

schedule 18:00 - 5 Prill, 2019

Një operacion i gjerë kundër krimit të organizuar shqiptar është zhvilluar në ditët e fundit në mbarë Evropën. Në pranga kanë përfunduar 64 shtetas shqiptarë të akuzuar për krime të rënda si trafik droge, qeniesh njerëzore, prostitucion dhe pastrim parash.

Të paktën 64 anëtarë të një rrjeti shqiptar të krimit të organizuar janë arrestuar në ditët e fundit në një super-operacion të zhvilluar në 4 shtete të ndryshme të Evropës. Operacioni, i menaxhuar nga agjencia policore evropiane Europol, është ekzekutuar njëkohësisht në Belgjikë, Francë, Holandë dhe Itali, mes datave 3 dhe 5 Prill.

Në aksion u përfshinë 600 oficerë të agjencive ligjzbatuese. Të arrestuarit dyshohen për prodhim dhe trafikim të drogës, si dhe për lidhje me rrjetet e trafikut të qenieve njerëzore, shfrytëzimit të prostitucionit dhe pastrim parash. Operacioni i ekzekutuar në ditët e fundit ka ardhur pas një hetimi kompleks mbi aktivitetet e këtij grupi kriminal, që vepronte gjithashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Të dyshuarit mendohet se kanë menaxhuar plantacione me lëndë narkotike të llojit kanabis, të cilën e kanë shpërndarë në Belgjikë dhe në veri të Francës. Gjithashtu, disa prej tyre janë përfshirë në futjen e paligjshme të emigrantëve në territorin francez. Nga 64 të dyshuarit, 55 prej tyre janë arrestuar në Belgjikë, 7 të tjerë në Holandë dhe 2 në Francë.

Operacioni është drejtuar nga Policia Federale Belge, e cila për çmontimin e grupit ka bashkëpunuar me xhandarmërinë franceze, policinë holandeze, Drejtorinë Hetimore të Antimafias në Itali dhe Policinë Metropolitane britanike. Ndërsa Europol ka mbështetur hetimet duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit mes agjencive policore. Në ditët e aksionit, 6 ekspertë të Europol u vendosën në Belgjikë, Francë dhe Holandë për të mundësuar shkëmbimin e të dhënave në kohë reale. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe 14 telefonë celularë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!