Europol identifikon 821 rrjete kriminale në BE

schedule15:40 - 5 Prill, 2024

schedule 15:40 - 5 Prill, 2024

Agjencia e BE-së për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit (Interpol) ka bërë të ditur se ka identifikuar 821 rrjete kriminale që veprojnë në bllokun evropian në hartimin e parë të saj të grupeve më kërcënuese të këtij lloji në kontinent.

Duke komentuar raportin e botuar sot, autoritetet thanë se analiza zbuloi se si organizohen rrjetet kriminale më kërcënuese, në cilat aktivitete kriminale përfshihen si dhe ku veprojnë.

Raporti gjithashtu vlerëson se cilat nga karakteristikat e tyre rrisin kërcënimin që paraqesin këto rrjete.

“Kërcënimi nga grupet e organizuara kriminale është i madh. Është një nga kërcënimet më të mëdha që kemi ndaj shoqërive tona. Është gjithashtu një kërcënim për sigurinë tonë, ndaj kohezionit tonë në shoqëri, ndaj fëmijëve tanë, të rinjve tanë dhe ndaj demokracive tona”, tha në një konferencë për media në Bruksel, Ylva Johansson, komisare evropiane.

Europol tha se rrjetet kriminale të identifikuara, të cilat përfshijnë më shumë se 25 mijë individë, u zgjodhën bazuar në kriteret rreth kërcënimit që ato paraqesin. Grupet janë aktive në një sërë fushash kriminale, nga trafiku i drogës tek kontrabanda e emigrantëve, krimi i pronës dhe të tjera.

Analiza tregon se grupet janë “jashtëzakonisht të shkathta” për t’i përshtatur proceset e tyre të biznesit kriminal ndaj mundësive dhe sfidave, përfshirë ato sfida të paraqitura nga zbatimi i ligjit.

Autoritetet zbuluan se ata janë në gjendje të depërtojnë dhe keqpërdorin gjerësisht strukturat ligjore të biznesit. Kjo i ndihmon bizneset e tyre kriminale të lulëzojnë, i lejon ata të pastrojnë fitimet e tyre kriminale dhe i mbron nga zbulimi.

Po ashtu 86 për qind e rrjeteve kriminale më kërcënuese përdorin struktura biznesi legale, shumica dërrmuese në BE.

“Gjyqtarët dhe prokurorët mund të luftojnë krimin e organizuar vetëm nëse janë të lirë nga kërcënimet apo përpjekjet për të ndikuar në integritetin e tyre profesional. Ne duhet të sigurojmë që ky është rasti. Meqenëse rrjetet kriminale më kërcënuese drejtojnë operacione kriminale pa kufij, bashkëpunimi midis ekspertëve është jetik”, u tha gazetarëve Didier Reynders, komisari evropian për drejtësi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!